Shoqata “Bereqeti” në bashkëpunim me Drejtorinë e Vakëfeve e Turqisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, ka dhuruar 6 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë në Kosovë.
Kjo ndihmë vjen në kuadër të përkujdesjes për besimtarët myslimanë gjatë muajit të Ramazanit. Aksioni i jashtëzakonshëm ka filluar që nga java e kaluar ku në secilin qytet të Kosovës do të dhurohen pako të tilla ushqimore.
Xheladin Fazliu, përfaqësuesi i “Bereqetit” thotë se ky aksion është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak se po bëhet në fillim të muajit të Ramazanit, ku sofra e secilës familje të jetë e mbushur dhe askush të mos e ketë brengë ushqimin.
Përfaqësuesi i Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë, Uğur YazIcI, thotë se vëllezërit në Turqi e ndjejnë për obligim që të jenë pranë vëllezërve në Kosovë dhe në veçanti gjatë muajit të Ramazanit.
“Për ne si besimtarë nga Republika e Turqisë është obligim të kujdesemi për vëllezërit tanë në Kosovë. Në veçanti, kjo përkujdesje shtohet gjatë muajit të Ramazanit. Jemi këtu me këto dhurata për familjet që kanë nevojë për ndihmë,” tha përfaqësuesi turk.
Një prej aksioneve humanitare u mbajt edhe në qytetin e Klinës, me ç’rast u vlerësua lartë uniteti në prag të Ramazanit.
Rastet sociale, jetimët, veteranët e luftës, invalidët e luftës, nënat vetushqyese, familjet e Hendikosit, shoqata e të verbërve dhe kategori të tjera po përfitojnë nga ky aksioni jashtëzakonshëm i “Bereqetit”.
Ky vit është viti i 10 me radhë që Drejtoria e Vakëfeve të Turqisë së bashku me “Bereqetin” dhurojnë pako ushqimore për kategoritë e ndjeshme të shoqërisë në Kosovë dhe njëkohësisht është mbështetës i shumë projekteve të tjera për besimtarët myslimanë në Kosovë dhe shoqërinë në përgjithësi.