Myftiu Tërnava priti në takim zëvendëskryetarin e DIJANET-it, z. Fatih Mehmet Karaca


Prishtinë, më 12 qershor 2026


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës zëvendëskryetarin e DIJANET-it të Turqisë, z. Fatih Mehmet Karaca.
Gjatë këtij takimi u nënshkrua edhe një marrëveshje partneriteti për menaxhimin e qendrës së trajnimeve për edukim, trajnim dhe avansim profesional.


Më pas, Myftiu Tërnava e njohu zëvendëskryetarin Karaca me aktivitetet, projektet dhe punën e Bashkësisë Islame të Kosovës. Me këtë rast, Myftiu Tërnava, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që DIJANET-i i Turqisë dhe organizatat e tjera turke i kanë dhënë Bashkësisë Islame të Kosovës në realizimin e projekteve të ndryshme.
Ai theksoi se Kosova dhe Turqia gëzojnë lidhje të forta historike, të cilat vazhdojnë të forcohen edhe sot përmes besimit, kulturës dhe bashkëpunimit institucional.
Myftiu Tërnava përmendi edhe projektin madhor të ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një simbol të partneritetit të fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetari, Fatih Mehmet Karaca, vlerësoi lart punën e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe angazhimin e Myftiut Tërnava në udhëheqjen e institucionit.
Mes të tjerash, Karaca vlerësoi lart angazhimin e Myftiut Tërnava, duke theksuar se një nga arsyet kryesore të bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet DIJANET-it të Turqisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës është përkushtimi i vazhdueshëm i Myftiut Tërnava dhe i institucionit që ai drejton në shërbim të Islamit dhe besimtarëve.


DIJANET-i i Turqisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës prej vitesh kanë ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në realizimin e projekteve të përbashkëta, me synim avancimin e jetës fetare dhe shërbimin ndaj besimtarëve myslimanë në Kosovë.