
Prishtinë, më 4 qershor 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në një takim studiuesin dhe publicistin prof. Ismet Azizin, i njohur për angazhimin e tij në çështjet historike dhe kombëtare, si dhe për veprimtarinë e tij në promovimin e dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim u bisedua për promovimin e dijes, kulturës, vlerave shpirtërore dhe mendimit shkencor në hapësirën shqiptare, përmes botimeve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Myftiu Tërnava e njohu mysafirin edhe me projektet e ardhshme në fushën e botimeve, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar për jetën intelektuale dhe akademike të popullit tonë.
Gjatë takimit u vlerësua roli i prof. Ismet Azizit si themelues dhe kryetar i organizatës “Kosova për Sanxhakun”, përmes së cilës ai ka kontribuar në afrimin e komuniteteve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve.


