
Prishtinë, më 12 gusht 2026
Sot, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, u mbajt takimi konstituiv i redaksisë së revistës “Dituria Islame”.
Në këtë takim morën pjesë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, drejtori për Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, si dhe anëtarët e redaksisë së re të revistës.
Për kryeredaktor të revistës “Dituria Islame” u emërua Ejup Haziri, ndërsa anëtarë të redaksisë janë: dr. Bahri Hoxha, dr. Florentina Tërmkolli, dr. Muhamed Stublla, dr. Violeta Smajlaj dhe mr. Almedin Ejupi.
Me këtë rast, Myftiu Naim ef. Tërnava uroi anëtarët e redaksisë për detyrën e re, duke vlerësuar rolin dhe rëndësinë që revista “Dituria Islame” ka pasur ndër vite në promovimin e vlerave fetare, kombëtare, kulturore dhe shkencore. Ai shprehu besimin se redaksia e re, me përvojën dhe përkushtimin e saj profesional, do të vazhdojë ta pasurojë përmbajtjen e revistës dhe ta forcojë misionin e saj në shërbim të dijes dhe të shoqërisë. Myftiu Tërnava në fund të fjalës së tij falënderoi edhe ish-kryeredaktorin mr. Driton Arifi dhe ish-anëtarët e redaksisë së kaluar për punën dhe angazhimin e tyre.
Revista “Dituria Islame”, si organ i rëndësishëm botues i Bashkësisë Islame të Kosovës, vazhdon të mbetet një burim i çmuar për studiuesit, imamët, studentët dhe lexuesit e interesuar për temat fetare, shkencore dhe kulturore.


