Myftiu Tërnava priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca

Prishtinë, më 20 nëntor 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, me të cilin bisedoi për një bashkëpunim edhe më të madh ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë, duke krijuar kështu një mes të mirëbesimit dhe të tolerancës.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe rreth mundësisë së një bashkëpunimi në raport me shtetet – me theks të veçantë ato të Lindjes së Mesme – të cilat deri më tani ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Ministri Konjufca shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të Bashkësisë Islame në afirmimin e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve me vendet e ndryshme. Ndërkaq, Myftiu Tërnava rikonfirmoi gatishmërinë e BIK-ut për të vazhduar të kontribuojë në këtë drejtim, gjithnjë në shërbim të interesave të vendit tonë.