Myftiu Tërnava mbajti hytbenë e namazit të xhumasë në Lipjan

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka mbajtur hytbenë e namazit të xhumasë në Lipjan, ku në prag të festës së 28 Nëntorit ka folur për historinë e vuajtur të popullit shqiptar, sakrificat ndër shekuj dhe përgjegjësinë për të ardhmen e vendit.

Gjatë hytbesë, Myftiu Tërnava ka rikujtuar periudha dhe ngjarje të ndryshme historike, duke nisur nga koha e romakëve dhe bizantinëve e deri te sundimi serbo-jugosllav, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve.

Ai ka theksuar se festat kombëtare nuk duhet të shërbejnë vetëm si momente përkujtimi, por edhe si nxitje për angazhim më të madh në shërbim të atdheut dhe kombit.

“Sa herë që na vjen 28 Nëntori, na vjen në mendje edhe 17 Shkurti. Neve sikur zemra dhe mendja na kthehen në të kaluarën dhe sikur na bëjnë që në veten tonë të marrim edhe përgjegjësi dhe impulse të reja për angazhim edhe më të madh ndaj atdheut tonë, kombit tonë dhe flamurit tonë”, ka thënë Myftiu Tërnava.

Duke folur për shtetësinë e Kosovës, Myftiu ka theksuar se pavarësia e shpallur më 2008 është një arritje e rëndësishme, por që kërkon përkushtim të vazhdueshëm për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

“Që nga viti 2008 jemi të pavarur, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të punojmë për shtetin tonë dhe me tërë qenien t’i përkushtohemi çështjes sonë, të shtrijmë dorën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin”, ka deklaruar Myftiu Tërnava.

Në përfundim të hytbesë, Myftiu Tërnava ka përcjellë mesazhin se dashuria për atdheun duhet të dëshmohet përmes punës, përkushtimit dhe bashkëpunimit, duke e parë të ardhmen e Kosovës si përgjegjësi të përbashkët të të gjithë qytetarëve.