
Prishtinë, më 19 nëntor 2026
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka filluar mbajtjen e mbledhjes së rregullt, të cilën po e kryeson kryetari i saj, Myftiu Naim ef. Tërnava.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Kryesia e BI-së, ndër të tjera, do të diskutojë për përgatitjet dhe planifikimin e aktiviteteve fetare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, si dhe do të trajtojë çështje aktuale që kanë të bëjnë me organizimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare në Republikën e Kosovës.
Një ndër çështjet e rëndësishme që po trajtohet në këtë mbledhje është edhe Projektkodi Civil i Republikës së Kosovës, i cili pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës për miratim.
Pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës rikonfirmoi qëndrimin e saj të mëparshëm, duke shprehur mbështetjen për miratimin e Kodit Civil, por vetëm pasi të rishikohen dhe të hiqen nga përmbajtja e tij dispozitat që cenojnë konceptin tradicional të familjes, natyrshmërinë njerëzore dhe parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar familja në shoqërinë tonë.
Kryesia vlerëson se çdo legjislacion që rregullon jetën familjare duhet të mbështetet në vlerat universale, parimet morale, traditën dhe besimin, duke respektuar njëkohësisht natyrën e krijimit të njeriut nga Zoti me dy gjini dhe konceptin e familjes së ndërtuar mbi bashkimin e burrit dhe gruas, si bazë themelore e vazhdimësisë dhe shëndetit të shoqërisë.
Në këtë frymë, Bashkësia Islame e Kosovës rithekson se nuk është kundër miratimit të Kodit Civil si një nevojë e rëndësishme për sistemin juridik të vendit, por kundërshton përfshirjen e dispozitave që bien ndesh me bindjet e saj fetare, mësimet hyjnore, natyrshmërinë njerëzore dhe vlerat tradicionale të popullit tonë.
Me këtë rast, Kryesia e BI-së u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, në veçanti Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Kosovës, që gjatë shqyrtimit të Projektkodit Civil të kenë parasysh shqetësimet e shprehura dhe të bëjnë rishikimin e dispozitave kontestuese, në mënyrë që Kodi Civil të jetë gjithëpërfshirës, të reflektojë vlerat dhe traditat e shoqërisë sonë dhe të mos cenojë parimet themelore fetare e morale.
Bashkësia Islame e Kosovës mbështet një Kod Civil që garanton drejtësinë, mbron familjen, forcon vlerat morale dhe kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, me dinjitet dhe përgjegjësi për brezat e ardhshëm.
Përgjatë kësaj mbledhjeje, anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë edhe Projektbuxhetet e Këshillave të BI-së dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për vitin 2027, si dhe lëndë dhe kërkesa të tjera të paraqitura për shqyrtim dhe vendimmarrje.
