Më 1 maj 2026, drejtori i Drejtorisë së Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, vizitoi Qendrën Islame Shqiptare “Hëri” në Cyrih, Zvicër, ku fali namazin e xhumasë dhe mbajti një fjalë rasti para xhematit.
Në fjalën e tij, drejtori Simnica përshëndeti imamin Bilal ef. Tahiri, kryetarin Sami Leka dhe të gjithë xhematin, duke përcjellë përshëndetjet dhe falënderimet në emër të BIK-ut dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai vlerësoi kontributin e mërgatës shqiptare dhe theksoi rëndësinë e xhamive në diasporë si qendra adhurimi, edukimi dhe bashkimi për komunitetin.
Po ashtu, drejtori i njohu të pranishmit me institucionet edukativo-arsimore të BIK-ut dhe me aktivitetet humanitare të Shoqatës “Bereqeti”.
Gjatë qëndrimit në Cyrih, ai vizitoi edhe disa qendra islame shqiptare në qytet dhe rrethinë. Ai fali namazin e ikindisë në xhaminë e Cyrihut me imamin Nebih ef. Rexhepi, namazin e akshamit në xhaminë e Regensdorfit me imamin Ferid ef. Zekiri, si dhe vizitoi xhaminë shqiptare në Seebach të Cyrihut, ku shërben imami Bashkim ef. Aliu.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet BIK-ut dhe qendrave islame shqiptare në Zvicër, si dhe në rrugë për të marrë pjesë në manifestimin e organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të xhamisë “Dituria” në Gjenevë, Zvicër.