
Prishtinë, më 8 korrik 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar edhe nga kryeimami Vedat ef. Sahiti, si dhe nga kryetari i Këshillit, Naim ef. Aliu dhe administrata e Këshillit, vizitoi sot objektin e ri vakëf të Këshillit të BI-së së Gjilanit, punimet e të cilit tashmë ndodhen në fazën përfundimtare.
Ky objekt është ndërtuar falë një donacioni bujar nga shteti i Katarit dhe pritet që së shpejti të funksionalizohet, duke u vënë në shërbim të nevojave fetare, arsimore dhe administrative të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit.
Gjatë vizitës, Myftiu Tërnava u njoh nga afër me ecurinë e punimeve dhe shprehu kënaqësinë e tij për cilësinë e realizimit të projektit, duke vlerësuar se ky objekt paraqet një investim me rëndësi të veçantë për jetën institucionale dhe fetare në këtë rajon.
Në fund të vizitës, Myftiu Tërnava uroi që punimet të përmbyllen me sukses dhe objekti të vihet sa më shpejt në funksion, në dobi të besimtarëve dhe të mbarë komunitetit.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu Tërnava, pa nga afër edhe punimet në ndërtimin e Xhamisë së re në lagjen e spitalit.






