
Prishtinë, më 8 korrik 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar kryeimami Vedat ef. Sahiti, vizitoi sot Këshillin e Bashkësisë Islame të Vitisë, ku u prit nga kryetari i Këshillit, Husamedin ef. Hoxha, së bashku me administratën e këtij Këshilli.
Gjatë këtij takimi u bisedua për punën dhe aktivitetet që zhvillon Këshilli i Bashkësisë Islame të Vitisë, me theks të veçantë në organizimin e jetës fetare, si dhe zhvillimin e mësim-besimit.
Myftiu Tërnava vlerësoi angazhimin e kryetarit, imamëve dhe administratës së Këshillit të BI-së së Vitisë, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë me përkushtim në shërbim të fesë dhe edukimit të brezave të rinj.
Nga ana e tij, kryetari Husamedin ef. Hoxha e falënderoi Myftiun Tërnava për vizitën, mbështetjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj Këshillit të BI-së së Vitisë, duke e njohur më pas atë më gjerësisht me punët, projektet dhe angazhimet që po realizohen në këtë Këshill.

