Myftiu Tërnava priti një grup shqiptaresh nga Turqia në vizitën e parë të tyre në Kosovë

Më 24 gusht 2026, në institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës u mirëpritën rreth 50 gra dhe vajza shqiptare nga Turqia, të cilat për herë të parë po qëndronin në Kosovë, në vendin prej nga e kanë origjinën familjet e tyre. Vizita u organizua nga Qendra Kulturore në Bursa, në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Ato u pritën nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili u shprehu mirëseardhje mysafireve dhe vlerësoi vizitën e tyre, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve me vendin e origjinës, gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare.

Gjatë takimit, Myftiu Tërnava i njohu ato me aspekte të historisë së Kosovës, si dhe me jetën fetare e kulturore në vend, ndërsa u bëri thirrje që lidhjen me Kosovën ta përcjellin edhe te brezat e rinj.

Për shumë prej tyre, kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë po shkelin në vendin prej nga kanë origjinën familjet e tyre. Mes emocioneve dhe nostalgjisë, ato rrëfyen historitë familjare, shpërnguljen nga Kosova dhe ndjesinë që përjetuan me të mbërritur në vendin e të parëve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, grupi vizitoi komuna të ndryshme, si dhe objekte fetare, kulturore e historike, me synimin për të njohur nga afër vendin e origjinës dhe trashëgiminë e tyre.