Myftiu Tërnava priti në takim lamtumirës koordinatoren e TIKA-s në Kosovë, znj. Fulya Aslan

Prishtinë, më 6 korrik 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në një takim lamtumirës koordinatoren e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Kosovë, znj. Fulya Aslan, me rastin e përfundimit të mandatit të saj.

Me këtë rast, Myftiu Tërnava e falënderoi znj. Aslan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe TIKA-s gjatë periudhës së angazhimit të saj, duke vlerësuar lart kontributin e kësaj Agjencie në realizimin e projekteve me rëndësi për vendin. Në veçanti, Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që TIKA ka dhënë në restaurimin, konservimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare islame në Kosovë, duke theksuar se këto projekte kanë ndikuar në ruajtjen e identitetit historik, kulturor dhe shpirtëror të vendit, si dhe në promovimin e vlerave të përbashkëta. Ai vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e TIKA-s për të mbështetur projekte të ndryshme në shërbim të komunitetit, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe kësaj Agjencie ka qenë gjithmonë i bazuar në respekt të ndërsjellë, besim dhe vizion të përbashkët.

Nga ana e saj, koordinatorja e TIKA-s, znj. Fulya Aslan, e falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë ushtrimit të detyrës së saj në Kosovë. Ajo shprehu kënaqësinë për projektet e realizuara në partneritet me Bashkësinë Islame të Kosovës, duke theksuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare mbetet një ndër prioritetet e rëndësishme të TIKA-s.

Në fund të takimit, Myftiu Tërnava i uroi znj. Aslan suksese në angazhimet e saj të ardhshme profesionale, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe TIKA-s do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.