
Me rastin e shënimit të Ditës së Xhamive, dje në ambientet e bibliotekës Gazi Husrev-beg në Sarajeva u hap ekspozita tematike: “Kujtesa në fotografi: xhamitë e shkatërruara në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocidi i planifikuar”, e realizuar bashkërisht nga Bashkësia Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Bashkësia Islame e Kosovës, kushtuar rrënimit të xhamive dhe trashëgimisë kulturore islame gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosovë.
Ekspozita i kushtohet shkatërrimit sistematik të trashëgimisë islame gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë, duke dokumentuar përmes fotografive dhe dëshmive autentike përmasat e krimeve të kryera ndaj objekteve të kultit dhe identitetit kulturor të popujve tanë.
Duke folur për rëndësinë e shënimit të Ditës së Xhamive, zëvendësreisul-ulema, dr. Enes Ljevakoviq, theksoi se Bashkësia Islame, përmes manifestimeve “Ditët e Vakëfit” dhe “Ditët e Xhamive dhe Xhematit”, kultivon kulturën e kujtesës dhe rikujton shkatërrimin e objekteve fetare gjatë luftës. Ai kujtoi se më 7 maj 1993, gjatë agresionit ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, u rrënua Xhamia Ferhadija, një nga simbolet më të njohura të Banja Luka, dhe se Bashkësia Islame e ka caktuar këtë datë si Ditën e Xhamive të të gjitha xhamive të rrënuara në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Kjo është një mundësi që t’i kujtojmë të gjitha xhamitë e rrënuara, e ato ishin më shumë se 600”, tha Ljevakoviq, duke shtuar se një fat i ngjashëm i kishte goditur edhe xhamitë në Kosovë gjatë luftës atje. “Xhamitë janë rrënuar dhe dëmtuar në mënyrë të planifikuar, njerëzit janë dëbuar, ndërsa qëllimi ishte të zhdukeshin gjurmët e ekzistencës së një populli dhe kulturës së tij në këto hapësira”, tha Ljevakoviq.
Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ramadan Shkodra, përcolli selamet dhe përshëndetjet e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në hapjen e ekspozitës së organizuar në bashkëpunim mes dy bashkësive islame.
“Ekspozita që po hapim sot nuk është një aktivitet i zakonshëm. Është një moment që na fton të ndalemi, të kujtojmë dhe të ndiejmë. Sepse ajo që paraqitet këtu nuk është vetëm histori – është dhimbje e përjetuar, është kujtesë që ende flet, është e vërtetë që nuk duhet të harrohet”.
Ai shtoi se fotografitë nuk janë thjesht pamje të objekteve të rrënuara, por dëshmi të një përpjekjeje për të zhdukur jo vetëm ndërtesa, por identitet, besim dhe kujtesë. “Kur goditet një xhami, nuk goditet vetëm një strukturë – goditet historia e një komuniteti, shpirti i tij dhe lidhja me të kaluarën”.
Shkodra theksoi se xhamia në shoqërinë tonë ka pasur gjithmonë një rol shumë më të gjerë sesa vetëm ai fetar, duke qenë vend takimi, edukimi dhe orientimi shpirtëror, por edhe bartëse e identitetit tonë kulturor e kombëtar.
Drejtori i Drejtorisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë pranë Rijasetit të Bashkësia Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, Muhamed Jusiq, tha se ekspozita po prezantohet për herë të parë para publikut boshnjako-hercegovinas, pasi gjatë vitit të kaluar kishte vizituar disa qytete në Kosovë.
Sipas tij, është planifikuar që ekspozita në periudhën e ardhshme të prezantohet edhe në pjesë të tjera të Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian, përmes aktiviteteve të përbashkëta të dy bashkësive islame.
Me rastin e Ditës së Xhamive foli edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët i Bosnje dhe Hercegovinës, Sevlid Hurtiq, i cili kujtoi rrënimin e Ferhadijes dhe të shumë xhamive të tjera gjatë luftës. Ai theksoi se Bashkësia Islame, me ndihmën e qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës, ka rindërtuar pothuajse të gjitha xhamitë e rrënuara.
Kujtojmë se gjatë agresionit serbo-çetnik ndaj Bosnje dhe Hercegovinës (1992–1995) u rrënuan 614 xhami, 218 mesxhide, 69 mektebe, 4 teqe, 37 tyrbe dhe 405 objekte të tjera vakëfnore. Ndërkaq, gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë (1998–1999), forcat serbe sulmuan dhe shkatërruan një pjesë të madhe të trashëgimisë islame. U dogjën, u granatuan dhe u përdhosën 218 xhami nga gjithsej 560 sa kishte Kosova në atë kohë. Po ashtu u dogj selia e Bashkësia Islame e Kosovës, u dëmtua Medreseja Alauddin, u rrënuan ndërtesat e katër medreseve historike, tri teqe, një hamam dhe dhjetëra prona vakëfnore në mbarë vendin.