Prishtinë, më 5 maj 2026
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ka mbajtur sot një takim pune me kryeimamët e Këshillave të BI-së në Kosovë, ku u diskutua për avancimin e aktiviteteve edukativo-fetare nëpër xhami.
Në fokus të veçantë ishte mësim-besimi në xhamitë e Kosovës, si dhe organizimi i garave të mësim-besimit gjatë pushimit veror, duke u theksuar rëndësia e një organizimi të drejtë dhe motivues për nxënësit. Kryeimami Sahiti kërkoi nga kryeimamët që të punojnë edhe më tej me imamët dhe mualimet, në mënyrë që të nxisin një garë frymëzuese ndërmjet nxënësve, e cila jo vetëm promovon dijen, por edhe kultivon etikën, disiplinën dhe dashurinë për mësimet fetare.
Ai theksoi se përmes një qasjeje motivuese, shpërblimeve simbolike dhe vlerësimit të përpjekjes së secilit nxënës, mund të rritet interesimi dhe pjesëmarrja aktive në mësim-besim.
Në takim u fol edhe për sfidat në terren dhe nevojën për koordinim më të mirë ndërmjet Këshillave lokalë dhe qendrës, me qëllim të ngritjes së nivelit të edukimit fetar. Kryeimami Sahiti, në përmbyllje, falënderoi kryeimamët për punën e tyre, si dhe i inkurajoi ata për vazhdim të punës me përkushtim.



