Iniciativa “Të gjithë për luftëtarin” nderon me mirënjohje Bashkësinë Islame të Kosovës

Prishtinë, më 12 gusht 2026  

Në shenjë mirënjohjeje të thellë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj luftëtarëve të lirisë, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bashkësisë Islame të Kosovës i është dorëzuar një mirënjohje e veçantë nga Iniciativa “Të gjithë për luftëtarin”.

Në emër të Iniciativës “Të gjithë për luftëtarin”, Ismail Selmani – Komandant Mala, ia ka dorëzuar mirënjohjen Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, duke vlerësuar kontributin dhe solidaritetin e vazhdueshëm të Bashkësisë Islame të Kosovës ndaj luftëtarëve të lirisë dhe familjeve të tyre.

Mirënjohja vlerëson “kontributin e çmuar, mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin e sinqertë” që Bashkësia Islame e Kosovës ka dhënë dhe vazhdon të japë për luftëtarët e lirisë, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e Luftës Çlirimtare.

Në të theksohet gjithashtu se “angazhimi juaj është dëshmi e vlerave të larta njerëzore dhe kombëtare”, duke shprehur mirënjohje të thellë dhe respekt të përjetshëm për këtë përkrahje.

Duke pranuar mirënjohjen, Myftiu Naim ef. Tërnava shprehu falënderimin për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe respektit të vazhdueshëm ndaj atyre që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Ky vlerësim, i përcjellë në emër të Iniciativës “Të gjithë për luftëtarin”, përbën një mesazh të fuqishëm respekti për rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në përkrahjen e luftëtarëve të lirisë dhe familjeve të tyre.