“Dituria Islame” shënoi 40-vjetorin e themelimit

Prishtinë, më 23 qershor 2026

Me një akademi solemne të organizuar në Prishtinë, Bashkësia Islame e Kosovës shënoi 40-vjetorin e revistës “Dituria Islame”, një prej botimeve më jetëgjata dhe më me ndikim në hapësirën shqiptare. Në këtë ngjarje jubilare, personalitete fetare, akademike dhe kulturore, e vlerësuan kontributin e revistës në edukimin e brezave, promovimin e vlerave islame dhe kombëtare, si dhe rolin e saj në pasqyrimin e zhvillimeve të rëndësishme shoqërore e historike ndër vite.

Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese në Bashkësinë Islame të Kosovës, z. Ramadan Shkodra, vlerësoi se revista “Dituria Islame” ka qenë për katër dekada një tribunë e rëndësishme e dijes islame, kulturës shqiptare dhe mendimit intelektual.

Ai theksoi se, përveç rolit të saj edukativ e fetar, revista ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike, dokumentimin e proceseve kombëtare dhe afirmimin e identitetit kulturor shqiptar.

“Gjatë katër dekadave të ekzistencës së saj, “Dituria Islame” ka luajtur një rol të rëndësishëm në afirmimin e mendimit islam ndër shqiptarë. Përmes mijëra artikujve, studimeve, përkthimeve, intervistave dhe reportazheve, ajo ka pasuruar literaturën islame në gjuhën shqipe dhe ka ndikuar në formimin fetar, kulturor e intelektual të brezave të tërë. Faqet e saj u bënë një shkollë e hapur e dijes, ku u formuan dhe u afirmuan autorë, studiues, përkthyes e publicistë të shumtë.

Megjithatë, misioni i saj nuk u kufizua vetëm në dimensionin fetar. Veçanërisht gjatë viteve ’90, kur Kosova përballej me represionin e regjimit serb dhe me mbylljen e institucioneve shqiptare, revista u bë një nga zërat e rrallë të lirë në gjuhën shqipe dhe një tribunë e rezistencës intelektuale. Në faqet e saj u dokumentuan padrejtësitë, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përpjekjet e popullit tonë për liri e dinjitet.

Në fjalën e tij, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, e vlerësoi revistën “Dituria Islame” si një prej institucioneve më të rëndësishme të mendimit islam dhe kulturës shqiptare, duke theksuar rolin e saj në edukimin e brezave, afirmimin e identitetit shpirtëror e kombëtar dhe kultivimin e dijes për katër dekada me radhë.

“Katër dekada në jetën e një institucioni përfaqësojnë shumë më tepër sesa një segment kronologjik; ato mishërojnë një traditë të konsoliduar, një mision të qëndrueshëm dhe një trashëgimi me vlera të shumëfishta. Në këtë perspektivë, 40-vjetori i revistës “Dituria Islame” shënon jo vetëm jubileun e një periodiku, por kremtimin e një institucioni me rol të rëndësishëm në formësimin e mendimit fetar, kulturor dhe intelektual shqiptar. Gjatë katër dekadave të veprimtarisë së saj, kjo revistë ka shërbyer si platformë e dialogut shkencor, edukimit dhe afirmimit të identitetit shpirtëror e kombëtar. Kontributi i saj i vazhdueshëm përbën një dëshmi të gjallë të përkushtimit ndaj dijes, vlerave universale dhe zhvillimit të vetëdijes shoqërore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë bashkëkohore të shqiptarëve.”

Në akademinë solemne mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili vlerësoi rolin e revistës “Dituria Islame” në avancimin e dijes, mendimit intelektual dhe jetës kulturore në vend, si dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë rrugëtim katërdekadësh.

“Ky jubile shënon jo vetëm vazhdimësinë e një tradite të rëndësishme publicistike, kulturore dhe arsimore në Kosovë, por edhe kontributin e saj në avancimin e dijes, mendimit dhe zhvillimit intelektual të shoqërisë sonë. Prandaj, institucionet e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë rrugëtim të rëndësishëm.”

Duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e revistës ndër vite, reisul ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetai, kujtoi rëndësinë që pati “Dituria Islame” në periudhat më të vështira për shqiptarët, duke e cilësuar atë si një burim të çmuar dijeje dhe orientimi.

Ne anën tjetër kryeredaktori aktual, prof. Driton Arifi, vlerësoi se “Dituria Islame” do të vazhdojë të mbetet një tribunë e mendimit të përgjegjshëm, e përkushtuar ndaj dijes, unitetit, harmonisë ndërfetare dhe mbrojtjes së vlerave morale e familjare edhe në sfidat e kohës moderne.

“Sot sfidat që kemi ne si brez kanë ndryshuar, por misioni i dëlirë e vizioni i kristaltë për të cilin punojmë mbetet i pandryshuar. Në një kohë kur informacioni është i bollshëm, por urtësia është bërë e rrallë, kur zhurma rrezikon të eklipsojë mendimin racional, nevojitet më shumë se kurrë një fjalë e kthjellët, e përgjegjshme dhe e mbështetur mbi dijen e shkencën e mirëfilltë. Zëri i kësaj tribune do të përgjëroj unitetin tonë përballë thirrjeve të herëpashershme përçarëse dhe që vënë bast në ndërrimin e kodit gjenetik të tij. Harmoninë ndërfetare të trashëguar, në faqet e Diturisë nuk do ta sublimojmë thjesht si një takt aksidental, apo si një diskurs kalkulues, por si një parim të shëndoshë islam e si një vlerë kombëtare të marrë si amanet nga të parët tanë”

Të pranishmeve iu drejtua me një fjalë përshëndetëse edhe kryeredaktori i parë i revistës “Dituria Islame”, haxhi Jetish ef. Bajrami, i cili u shpreh i nderuar që po merr pjesë në shënimin e këtij jubileu, duke kujtuar me krenari rrugëtimin 40-vjeçar të revistës dhe përkushtimin e brezave që kontribuuan në ndërtimin e saj.

Në përmbyllje të akademisë solemne, u ndanë mirënjohje për themeluesit, kryeredaktorët, autorët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që, ndër vite, kanë kontribuar në zhvillimin, avancimin dhe afirmimin e revistës “Dituria Islame”.