
Prishtinë, më 15 korrik 2026
Një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës, i kryesuar nga sekretari i BIK-ut, Fatmir ef. Iljazi, dhe shefi i kabinetit të Myftiut të Kosovës, Besim ef. Mehmeti, vizitoi Ambasadën e shtetit të Katarit në Tiranë, ku u nënshkrua në Librin e Zisë, të hapur me rastin e ndarjes nga jeta të ish-emirit të Katarit, sheikh Hamad bin Khalifa al Thani.
Në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës, delegacioni shprehu ngushëllimet më të sinqerta udhëheqjes së shtetit të Katarit, familjes dhe popullit mik katarian, duke lutur Allahun e Madhëruar që ta mëshirojë të ndjerin, ta shpërblejë me Xhenetin Firdevs dhe familjes së tij t’i japë durim e forcë për ta përballuar këtë humbje.
Me këtë rast, delegacioni u prit nga e ngarkuara me punë, përfaqësuesja e Ambasadës së shtetit të Katarit në Tiranë, znj. Vesam al Jefairi, e cila shprehu mirënjohjen e saj për këtë gjest solidariteti dhe respekti nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Bashkësia Islame e Kosovës vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë dhe bashkëpunimit me shtetin e Katarit dhe institucionet e tij, marrëdhënie të cilat janë forcuar ndër vite përmes projekteve të shumta humanitare, arsimore dhe fetare, në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

