U organizua pritja tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, në selinë qendrore të Bashkësisë Islame të Kosovës, u organizua pritja tradicionale e mysafirëve.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti krerë institucionesh, përfaqësues politikë, diplomatë dhe mysafirë të shumtë, të cilët përcollën urimet e tyre me rastin e kësaj feste, duke vlerësuar njëkohësisht rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, znj. Albulena Haxhiu, theksoi se festa e Kurban Bajramit bart mesazhe të sakrificës, solidaritetit dhe përkushtimit, duke bërë thirrje për unitet, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë në shoqëri. Ajo vlerësoi gjithashtu mesazhet e Myftiut Tërnava për ndaljen e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes.

Për urime në Bashkësinë Islame të Kosovës qëndroi edhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili tha se Kurban Bajrami është festë që përcjell mesazhin e sakrificës dhe kujtesës për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe prosperitetin e vendit.

Urime për festën përcolli edhe ish-presidentja, znj. Vjosa Osmani, e cila vuri theksin te solidariteti dhe kujdesi ndaj familjeve në nevojë, me dëshirën që kjo festë të sjellë begati dhe mirësi për të gjithë.

Ndërkaq, krerë të partive politike në vend vlerësuan harmoninë fetare në Kosovë, si dhe mesazhet që Bashkësia Islame e Kosovës përcjell ndër vite për bashkëjetesë, tolerancë dhe mirëkuptim ndërmjet qytetarëve.

Për urime në Bashkësinë Islame të Kosovës qe edhe Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës dhe vlerave të përbashkëta ndërfetare e njerëzore.

Për të uruar festën e Kurban Bajramit në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës qëndruan gjithashtu edhe përfaqësues të Federatës së Kikboksit të Kosovës, ambasadori i Turqisë në Kosovë, si dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar.