Vizitë në qytetin e Prizrenit

Reisi i Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, dr. Husein ef. Kavazoviq, i shoqëruar nga Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, qëndroi sot në qytetin e Prizrenit.

Vizita filloi me një takim në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, ku delegacionin e priti kryetari i këtij Këshilli, Valon ef. Ibrahimi. Në takim u diskutua për rolin e Prizrenit si qendër e rëndësishme fetare dhe historike, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve islame në rajon.

Në vijim, reisi Kavazoviq dhe Myftiu Tërnava u takuan me imamët boshnjakë që veprojnë në Kosovë. Gjatë takimit, u trajtuan çështje që lidhen me sfidat dhe angazhimet e tyre në misionin fetar, përkushtimin ndaj shërbimit ndaj besimtarëve dhe rolin e tyre në ruajtjen e harmonisë ndëretnike dhe ndërfetare.

Duke iu drejtuar imamëve, reisi Kavazoviq theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në kuadër të institucioneve përkatëse, duke përçuar një mesazh të qartë për respektimin e Bashkësisë Islame të Kosovës si autoriteti zyrtar fetar në vend.

“Është me rëndësi që të jeni të bashkuar, të qëndroni pranë njëri-tjetrit dhe të kontribuoni në ruajtjen e harmonisë fetare në Kosovë. Bashkësia Islame e Kosovës është institucioni juaj dhe mbështetja ndaj saj është e domosdoshme për punën tuaj dhe për mbarëvajtjen e jetës fetare,” theksoi reisi Kavazoviq.

Pas takimeve, delegacioni vizitoi xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, ku reisi iu priu besimtarëve në namazin e drekës. Më pas, reisi Kavazoviq mbajti një ligjëratë të shkurtër para besimtarëve, ku falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, duke shprehur kështu gatishmërinë e tij për një bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen. Ai edhe njëherë i bëri ftesë zyrtare Myftiut Tërnava që të vizitojë shtetin e Bosnjës, për të forcuar kështu edhe më shumë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve.