U mbajt takim me sekretarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës

Sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Fatmir ef. Iljazi, ka mbajtur sot një takim me sekretarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Takimi i mbajtur në selinë e Kryesisë së BIK-ut ishte takimi i parë njoftues dhe informues me sekretarët e Këshillave, pas marrjes së detyrës së sekretarit të përgjithshëm nga Fatmir ef. Iljazi.

Në fillim të takimit, sekretari Iljazi falënderoi sekretarët për punën dhe angazhimin e tyre në Këshillat e Bashkësisë Islame ku veprojnë, duke vlerësuar kontributin e tyre në mbarëvajtjen e veprimtarisë së Këshillave dhe duke kërkuar që ky angazhim të intensifikohet edhe më tej.

Qëllimi i takimit ishte njohja më e afërt me përgjegjësit dhe sekretarët e Këshillave, si dhe diskutimi i çështjeve që lidhen me punën dhe funksionimin e tyre.

Gjatë takimit u diskutua për rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e sekretarëve të Këshillave të Bashkësisë Islame, me theks të veçantë në rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Kryesisë së BIK-ut dhe Këshillave të Bashkësisë Islame.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe problemeve dhe sfidave me të cilat përballen Këshillat e Bashkësisë Islame në punën e tyre të përditshme.

Në takim u theksua rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet sekretarëve të Këshillave dhe Kryesisë së BIK-ut, me qëllim të avancimit të punës dhe përmbushjes së përgjegjësive institucionale.