Përurohet xhamia qendrore në Lipjan

Në Lipjan u përurua xhamia e re qendrore, ndërtimi i së cilës u realizua me mbështetjen financiare të shtetit të Katarit. Hapja e saj shënon realizimin e një kërkese të kahmotshme të besimtarëve të kësaj komune dhe zgjerimin e infrastrukturës fetare në këtë komunë.

Ceremonia solemne e përurimit u zhvillua në praninë e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, përfaqësuesve të shtetit të Katarit, përfaqësuesve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan, Komunës së Lipjanit, Policisë së Kosovës, deputetëve, përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, shoqatave të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, si dhe qindra besimtarëve.

Në fjalën e tij, myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, vuri në pah rëndësinë e lirisë, sakrificën e dëshmorëve dhe mundësinë që populli i Kosovës, në vendin e vet, të ndërtojë institucione fetare, arsimore e shëndetësore. Ai theksoi se liria e fituar me sakrificë përbën një përgjegjësi të përbashkët për ruajtjen dhe zhvillimin e vendit.

“Falë gjakut të derdhur për liri të bijve dhe bijave tona, të dëshmorëve tanë, të cilët e ujitën këtë tokë pëllëmbë pas pëllëmbe me gjakun e tyre të njomë, sot kemi mundësi të ndërtojmë xhami, edhe shkolla, edhe kisha për vëllezërit tanë të fesë tjetër. Kemi mundësi të ndërtojmë edhe spitale, kemi mundësi të bëjmë gjithçka që dëshirojmë si popull, sepse jemi në vendin tonë. Dëshirë e Zotit ka qenë dhe është që ne të jetojmë në këtë vend. Jemi banorë të këtyre trojeve, andaj nuk kemi vatan tjetër. Ky është vatani ynë dhe këtë duhet ta ruajmë”, u shpreh ndër të tjera myftiu Tërnava, duke vlerësuar edhe kontributin e imamëve dhe hoxhallarëve gjatë luftës.

Përfaqësuesi i shtetit të Katarit, Ahmad Al-Amadi, shprehu lutjen që Allahu i Madhërishëm ta pranojë këtë kontribut dhe xhaminë ta bëjë qendër të mirësisë e bujarisë.

“E lusim Allahun xh.sh. që t’i pranojë këto vepra dhe ta bëjë këtë qendër të mirësisë dhe bujarisë”, tha Al-Amadi.

Bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës u vlerësua edhe nga përfaqësuesit komunalë dhe ata të subjekteve politike, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional në realizimin e projekteve me interes për qytetarët dhe komunitetin fetar.

Në anën tjetër Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan, Zaim ef. Baftiu, shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit, duke vënë në pah kapacitetin dhe funksionalitetin e objektit të ri.

“Kjo xhami, me kapacitetin që ka, arrin të jetë ndër xhamitë me kapacitetin më të madh për namazfalës në Kosovë. Ajo i bashkëngjitet vargut të xhamive të tjera, ndërsa hapësirat administrative dhe sallat e bëjnë këtë objekt një qendër kulturore islame, krahas funksionit të tij si xhami”, tha Baftiu. Me përurimin e xhamisë së re qendrore, Lipjani pasurohet me një objekt të rëndësishëm të infrastrukturës fetare, i cili, përveç shërbimeve të adhurimit, ofron edhe hapësira për veprimtari administrative e kulturore islame. Kjo është xhamia e 36-të e ndërtuar në komunën e Lipjanit pas vitit 2000.