
Në kuadër të manifestimit të Muajit të Mevludit, në Gjilan u organizua simpoziumi shkencor “Muhamedi a.s. në kujtesën dhe traditën shqiptare”, me temë bosht “Mesazhi profetik, trashëgimia dhe aktualiteti”.
Në këtë aktivitet morën pjesë studiues, profesorë, dijetarë dhe njohës të fushave të ndryshme të fesë, historisë, letërsisë dhe kulturës, ndërsa përmes katër seancave shkencore u prezantuan gjithsej 27 referate kushtuar jetës, misionit dhe trashëgimisë së Profetit Muhamed a.s.
Simpoziumi trajtoi aspekte të ndryshme të figurës së Muhamedit a.s., nga jeta dhe misioni i tij profetik, ndikimi i mësimeve të tij në jetën fetare e shoqërore, deri te mënyra se si dashuria dhe tradita profetike janë ruajtur e përcjellë ndër shqiptarë.
Në hapje të simpoziumit u theksua rëndësia e studimit të kësaj figure jo vetëm në kontekstin historik, por edhe në raport me vlerat që vazhdojnë të kenë aktualitet në shoqërinë bashkëkohore.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, theksoi se personaliteti i Muhamedit a.s. nuk ka mbetur vetëm një figurë e largët historike islame, por është bërë pjesë e rëndësishme e jetës shpirtërore të besimtarëve.
Sipas tij, për shekuj me radhë emri i Muhamedit a.s. është përcjellë brez pas brezi përmes familjes, xhamisë, medresesë, letërsisë dhe traditës gojore. Për besimtarin shqiptar, ai nuk përfaqëson vetëm një mesazh fetar, por edhe një model përmes të cilit besimi shndërrohet në moral, dija në përgjegjësi dhe drejtësia në parim.
Ndërsa, Naim ef. Aliu, kryetar i KBI-së në Gjilan, tha se një nga qëllimet kryesore të simpoziumit ishte të trajtohej raporti i shqiptarëve me të Dërguarin dhe trashëgiminë e tij.
Në fokus, sipas tij, ishte mënyra se si është ruajtur kjo trashëgimi, si është përcjellë dashuria për Muhamedin a.s. dhe çfarë ndikimi ka pasur ajo në formësimin fetar, moral dhe kulturor të shqiptarëve.
Edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, e vlerësoi studimin e jetës dhe veprës së Muhamedit a.s. si një mundësi për të reflektuar mbi vlerat e përcjella përmes mësimeve të tij. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së dijes, arsimit, kulturës dhe trashëgimisë si përgjegjësi ndaj brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Në katër seancat e simpoziumit u prezantuan gjithsej 27 referate, të cilat trajtuan një gamë të gjerë temash.
Në referatet e tyre, studiuesit u ndalën në vazhdimësinë e figurës së Muhamedit a.s. edhe pas më shumë se 14 shekujsh, në dimensionin historik dhe tejhistorik të misionit të tij, si dhe në vlerat e paqes, mëshirës, dialogut, bashkëjetesës dhe etikës që burojnë nga mësimet profetike.
Një pjesë e rëndësishme e punimeve u përqendrua në mënyrën se si trashëgimia profetike është ruajtur në hapësirën shqiptare. U trajtuan dorëshkrimet, përkthimet, veprat letrare, mevludet dhe tradita gojore, përmes të cilave është shprehur dhe përcjellë dashuria për Muhamedin a.s.
Në këtë kuadër u trajtua edhe tradita e Mevludit ndër shqiptarët, veçoritë letrare dhe poetike të veprave të autorëve shqiptarë, si dhe ndikimi i tyre në ruajtjen e kujtesës dhe traditës profetike.
Referuesit u ndalën gjithashtu në ndikimin e mësimeve të Muhamedit a.s. në edukimin e familjes dhe rinisë, respektin ndaj prindërve, komunikimin me fëmijët, etikën mediatike, lirinë e shprehjes dhe ndjeshmërinë religjioze.
Një tjetër dimension i rëndësishëm ishte diaspora shqiptare, me referate që trajtuan ruajtjen e trashëgimisë profetike, identitetin fetar e kulturor dhe rolin e institucioneve e manifestimeve të Mevludit në komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Në përfundim, simpoziumi solli në një vend qasje historike, fetare, letrare, kulturore dhe shoqërore mbi figurën e Muhamedit a.s., duke e trajtuar trashëgiminë e tij si pjesë të rëndësishme të historisë dhe kulturës shpirtërore të shqiptarëve.
Referuesit dhe temat e punimeve
Seanca e parë u drejtua nga kryesia e punës Agim Hyseni, Milazim Krasniqi dhe Ejup Haziri. Në të referuan:
Seanca e dytë, me kryesi të punës Hysen Matoshi, Iljaz Mustafa dhe Xheladin Leka, përfshiu:
Në seancën e tretë, të kryesuar nga Ilmi Krasniqi, Fahrush Rexhepi dhe Elez Osmani, u prezantuan:
Ndërsa seanca e katërt, me kryesi të punës Islam Hasani, Mustafë dhe Selim Sulejmani, përfshiu:
Simpoziumi u përmbyll pas një dite të plotë me referime dhe diskutime, në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mevludit, duke vënë në fokus lidhjen ndërmjet mesazhit profetik, trashëgimisë së ruajtur ndër breza dhe aktualitetit të saj në jetën e shqiptarëve.



