Përurohet Xhamia “Shaban Ismail Stublla” në Dumnicë të Podujevës

Me një ceremoni solemne dhe në praninë e një numri të madh besimtarësh, sot, në Dumnicë të Podujevës, u përurua Xhamia “Shaban Ismail Stublla”.

Xhamia e re, e cila do të shërbejë si hapësirë e adhurimit, edukimit fetar dhe bashkimit të komunitetit, u inaugurua me faljen e namazit të xhumasë.

Hytben e parë në këtë xhami e mbajti drejtori i Medresesë “Alauddin”, Ekrem ef. Maqedonësi, i cili foli për mësimet e Pejgamberit Muhamed a.s., duke vënë theksin në veçanti te rëndësia dhe vlera e ndërtimit të xhamive.

Në ceremoninë e përurimit, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti, theksoi se ndërtimi i një xhamie nuk nënkupton vetëm ngritjen e mureve, por edhe krijimin e një vatre të besimit, edukimit dhe adhurimit të Krijuesit.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësuesit e organizatave dhe donatorëve që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, të cilët shprehën kënaqësinë për përfundimin dhe përurimin e xhamisë, duke theksuar se ajo do të jetë në shërbim të të gjithë besimtarëve.

Me këtë rast, u vlerësua kontributi i familjes Stublla, e cila dhuroi tokën për ndërtimin e xhamisë, si dhe angazhimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, Fondacionit “Sharjah Charity” dhe Shoqatës “Shqiptarët për Shqiptarët” në realizimin e këtij projekti.