
Prishtinë, më 4 nëntor 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti në takim drejtorin e Shtëpisë Botuese “Logos-A” nga Shkupi, dr. Adnan Ismailin.
Gjatë këtij takimi u diskutua për gjendjen e literaturës islame në gjuhën shqipe, arritjet dhe sfidat në këtë drejtim, si dhe projektet aktuale botuese. Me këtë rast, u shkëmbyen mendime edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta botuese.
Myftiu Tërnava vlerësoi kontributin e Shtëpisë Botuese “Logos-A” në pasurimin e literaturës në gjuhën shqipe, duke theksuar rëndësinë e botimeve që kjo shtëpi botuese ka sjellë ndër vite në fusha dhe disiplina të ndryshme.
Drejtori i Shtëpisë Botuese “Logos-A”, dr. Adnan Ismaili, çmoi kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në pasurimin dhe zhvillimin e literaturës islame në gjuhën shqipe, duke vlerësuar rëndësinë e veprimtarisë botuese të saj në kultivimin e dijes dhe kulturës islame në hapësirën shqiptare.

