Në fshatin Nedakoc të Vushtrrisë u përurua xhamia e re
E veçanta e kësaj xhamie është se e tëra është ndërtuar falë bamirësisë së familjes Pushkolli.
Në hapjen e kësaj xhamie, përveç besimtarëve të shumtë, morën pjesë edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, kryetari i Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, udhëheqësit e Këshillit të BI-së së Vushtrrisë, si dhe biznesmenë të shumtë nga qyteti i Vushtrrisë.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef.Sahiti, në emër të Myftiut Naim ef.Tërnava dhe në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, uroi dhe përgëzoi banorët e fshatit Nedakoc për hapjen e kësaj xhamie në prag të fillimit të muajit Ramazan. Ai tha se sot, përveç hapjes së kësaj xhamie, edhe në fshatin Zakut të Podujevës, po përurohet një xhami, e cila ka të njëjtën karakteristikë, atë të ndërtimit nga një familje e vetme, andaj më lejoni që të falënderoj familjen Pushkolli për ndërtimin e xhamisë, duke lutur Zotin që t’i shpërblejë me Xhenet.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Këshillit të BI-së së Vushtrrisë, Ejup ef. Haziri, shprehu falënderimet e tij dhe të Këshillit të BI-së së Vushtrrisë për familjen Pushkolli për ndërtimin e kësaj xhamie, duke lutur Zotin e Madhëruar që t’i shpërblejë me të mirat e Tij në këtë dhe botën tjetër. Ai me këtë rast falënderoi edhe bizneset e tjera të Vushtrrisë për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhënë për institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ndërkaq kryetari i Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, në emër të institucionit që ai drejton, uroi banorët e Nedakocit për hapjen e kësaj xhamie, duke çmuar kështu rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për vendin në të gjitha proceset që ka kaluar.
Në emër të familjes Pushkolli, një fjalë përshëndetëse e mbajti Ridvan Pushkolli, i cili falënderoi Zotin e Madhëruar për mundësinë që iu ka dhënë për ndërtimin e kësaj xhamie.
Hytben e xhumasë, me mesazhet uruese për ardhjen e muajit Ramazan e mbajti kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti.