
Prishtinë, më 10 shtator 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Fatmir ef. Iljazi, vizitoi sot Këshillin e Bashkësisë Islame të Mitrovicës, ku u prit nga administrata dhe stafi i këtij Këshilli.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu Tërnava u njoh nga afër me aktivitetet dhe angazhimet e Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës, si dhe me punën që po zhvillohet në realizimin e projekteve të rëndësishme për komunitetin mysliman të kësaj ane.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava pa nga afër edhe punimet që po zhvillohen në ndërtimin e objektit të ri të Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës dhe të xhamisë “Haxhi Veseli”, ku edhe u njoh me ecurinë e punimeve dhe me dinamikën e realizimit të këtyre projekteve.
Myftiu Tërnava shprehu kënaqësinë e tij për punën e bërë deri më tani dhe për ecurinë e punimeve, duke vlerësuar angazhimin e të gjithë atyre që po kontribuojnë në realizimin e këtyre projekteve. Ai theksoi rëndësinë që këto objekte do të kenë për zhvillimin e jetës fetare dhe shërbimeve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë.
Në fund të vizitës, Myftiu Tërnava u shprehu përfaqësuesve të Këshillit të BI-së së Mitrovicës mbështetjen e tij për vazhdimin e punës dhe realizimin me sukses të projekteve të nisura.



