Myftiu Tërnava vlerësoi kontributin e autorit Zenel ef. Hajdini në literaturën edukative fetare për fëmijë dhe të rinj

Prishtinë, më 30 korrik 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti në takim imamin e xhamisë së Lagjes së Pajtimit, Zenel ef. Hajdini, i cili, krahas shërbimit të tij si imam, hatib dhe mualim, është dalluar edhe si autor i suksesshëm në hartimin e teksteve edukative dhe fetare për fëmijë dhe të rinj.

Gjatë dy viteve të fundit, në kuadër të Shtëpisë Botuese “Dituria Islame”, ai ka botuar tri vepra të dedikuara ekskluzivisht fëmijëve dhe të rinjve. Veprat e botuara janë: “Rruga e mirësisë”, “Etika e besimtarit të ri” dhe “Ja Resulallah!”.

Imami Zenel ef. Hajdini e falënderoi Myftiun Tërnava për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme, veçanërisht për besimin që veprat e tij të botoheshin në kuadër të Shtëpisë Botuese “Dituria Islame”. Ai u shpreh se kjo përkrahje ka qenë një shtysë e rëndësishme për të vazhduar punën në përgatitjen e literaturës edukative dhe fetare për brezat e rinj.

Nga ana e tij, Myftiu Tërnava e vlerësoi lart angazhimin dhe kontributin e imamit dhe autorit Zenel ef. Hajdini, duke theksuar se puna e tij ka plotësuar një boshllëk të rëndësishëm në fondin botues të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ai tha se ka ndjekur me vëmendje punën dhe përkushtimin e Zenel ef. Hajdinit, duke vlerësuar cilësinë dhe rëndësinë e botimeve të tij.

“Me këto vepra keni përmbushur një nevojë që ka ekzistuar prej kohësh për libra edukativë të dedikuar posaçërisht fëmijëve dhe të rinjve, të shkruar nga autorë tanë. Vlera e tyre është edhe më e madhe sepse janë fryt i punës së një imami, i cili është çdo ditë në kontakt me xhematin dhe, në veçanti, me fëmijët e të rinjtë. Kjo u jep botimeve autenticitet, besueshmëri dhe një dimension praktik. Ju përgëzoj për këtë angazhim dhe ju siguroj se do ta keni edhe në të ardhmen mbështetjen tonë dhe të Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” në misionin tuaj fisnik”, tha Myftiu Tërnava.

Në shenjë respekti, imami Zenel ef. Hajdini ia dhuroi Myftiut Tërnava, me autograf, tri veprat e tij të botuara nga Shtëpia Botuese “Dituria Islame”.

Me këtë rast, Myftiu Tërnava i ndau Zenel ef. Hajdinit një mirënjohje me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në hartimin e teksteve edukative fetare për fëmijë dhe të rinj, si dhe për përkushtimin në edukimin dhe formimin e brezave të rinj mbi vlerat islame.”

Në takim ishin të pranishëm edhe drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, si dhe redaktori i Shtëpisë Botuese “Dituria Islame”, Bashkim Mehani.