
Prishtinë, më 10 nëntor 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga delegacioni i BIK-ut, po zhvillon një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, në kuadër të përgatitjeve intensive për organizimin e sezonit të ardhshëm të Haxhit 2027.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu Tërnava ka nënshkruar marrëveshjen zyrtare për organizimin e Haxhit me zëvendësministrin e Haxhit dhe Umres të Arabisë Saudite, dr. Abdulfattah bin Suleiman Mashat. Marrëveshja e nënshkruar definon kuotën e besimtarëve nga Kosova, si dhe përcakton kornizën logjistike, teknike dhe shëndetësore për mbarëvajtjen e ritualit të shenjtë.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Myftiu Tërnava u prit në një takim të veçantë pune nga ministri i Haxhit dhe Umres i Arabisë Saudite, dr. Tawfik al Rabiah.
Në fokus të bisedimeve ishin përmirësimi i shërbimeve, ngritja e cilësisë së akomodimit, transportit dhe ushqimit në Mekë, Medinë dhe në vendqëndrimet e shenjta (Arafat, Muzdelife dhe Mina), digjitalizimi i procedurave, integrimi i proceseve të vizave dhe shërbimeve logjistike përmes platformave të reja digjitale për lehtësimin e procedurave për besimtarët kosovarë, bashkëpunimi institucional, avancimi i partneritetit tradicional ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Haxhit.
Myftiu Tërnava shprehu falënderimet e tij për udhëheqjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Ministrinë e Haxhit për përkujdesjen e vazhdueshme dhe mikpritjen e ngrohtë që u rezervohet çdo vit haxhilerëve nga Kosova. Nga ana e tij, ministri Al Rabiah përgëzoi Bashkësinë Islame të Kosovës për nivelin e lartë të disiplinës dhe organizimit profesional ndër vite.





