
Prishtinë, më 21 korrik 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, vizitoi objektin e Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë, ku nga afër u njoh me ecurinë e fillimit të punimeve për restaurimin e restorantit të kësaj shkolle.
Gjatë vizitës, Myftiu Tërnava u interesua për cilësinë dhe dinamikën e punimeve, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e kushteve dhe krijimin e një ambienti sa më të përshtatshëm për nxënësit e Medresesë.
Restaurimi i restorantit paraqet një hap të mbarë në vazhdën e përpjekjeve për avancimin e infrastrukturës së këtij institucioni arsimor, duke dëshmuar përkushtimin dhe gatishmërinë për të vazhduar përmirësimin e kushteve të qëndrimit, ushqimit dhe mirëqenies së nxënësve.
Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen dhe zhvillimin e institucioneve të saj arsimore, me qëllim që nxënësve t’u ofrohet një mjedis sa më cilësor për edukim dhe formim.



