Prishtinë |

Myftiu Tërnava priti në takim drejtorin e Përgjithshëm të Veprimtarisë Botuese të Dijanet-it, z. Cafer Tayyar Doymaz

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim drejtorin e Përgjithshëm të Veprimtarisë Botuese të Dijanet-it të Turqisë, z. Cafer Tayyar Doymaz, i cili shoqërohej nga shefi i sektorit për botime në gjuhë të huaja pranë këtij institucioni, z. Fatih Karazeybek. Në shoqërim të mysafirëve nga Dijanet-i ishte edhe atasheu për Çështje Fetare në Ambasadën e Turqisë, z. Bynjamin Albayrak.

Myftiu Tërnava fillimisht iu uroi mirëseardhje mysafirëve, e më pas i njohu ata me veprimtarinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, me theks të veçantë për veprimtarinë botuese që ky institucion e zhvillon përmes Shtëpisë Botuese “Dituria Islame”. Ai me theks të veçantë e falënderoi z. Doymaz për botimin e përkthimit të Kuranit fisnik në gjuhën shqipe, i cili tashmë së fundi është botuar.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për rëndësinë e shkëmbimeve kulturore dhe për bashkëpunimin në fushën e botimeve, duke e cilësuar këtë si një mbështetje për promovimin e librit si një mjet edukimi dhe zhvillimi.

Edhe z. Doymaz, shprehu gatishmërinë e tij që të vazhdojë bashkëpunimi i frytshëm me Bashkësinë Islame të Kosovës, gjithnjë për të krijuar mundësi të reja për përhapjen e mesazheve të paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet kulturave të ndryshme.