Prishtinë, më 18 prill 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim drejtorin e Drejtorisë për Media, njëherësh zëdhënësin e Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, z. Abdullah Yatem Alanzi.
Gjatë këtij takimi u diskutua për organizimin e Garave Ndërkombëtare të Kuranit, të cilat do të mbahen në Republikën e Kosovës nga data 8 deri më 12 maj 2025. Në kuadër të bisedës u trajtua edhe realizimi i ekspozitës “Urat”, që për qëllim ka shpalosjen e kulturës dhe traditës arabe në vendin tonë.
Pjesë e diskutimit ishte edhe vizita e imamit të Qabesë në Kosovë, e cila vjen në kuadër të bashkëpunimit të mirë që ka institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministria e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite.
Myftiu Tërnava shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Arabisë Saudite në përpjekjet për zhvillimin dhe avancimin e jetës fetare në Kosovë, duke vlerësuar lart gatishmërinë për bashkëpunim të ndërsjellë në projekte me interes të përbashkët.