Prishtinë, më 4 mars 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim atasheun për Çështje Fetare nga Ministria e Çështjeve Fetare e Arabisë Saudite, z. Amer Alanazi.
Gjatë takimit, të dyja palët diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare të Kosovës dhe Arabisë Saudite, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të lidhjeve vëllazërore.
Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e vazhdueshme që Arabia Saudite ka ofruar ndër vite për Kosovën, si në aspektin humanitar, ashtu edhe në mbështetjen e projekteve fetare dhe arsimore. Ai vlerësoi kontributin e institucioneve saudite në ndihmë të komunitetit mysliman në Kosovë dhe shprehu shpresën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë në të ardhmen.
Nga ana e tij, z. Alanazi, konfirmoi gatishmërinë e Arabisë Saudite për të vazhduar mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve në fushën e edukimit fetar dhe projekteve të përbashkëta në shërbim të komunitetit mysliman.