Myftiu Tërnava po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Përpjekjet e Mbretërisë së Arabisë Saudite në përballjen me devijimet e mendimit”

Prishtinë, më 27 shtator 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Përpjekjet e Mbretërisë së Arabisë Saudite në përballjen me devijimet e mendimit”, e cila u hap më 27 shtator 2026 në Medinë.
Kjo Konferencë dyditore po organizohet nga Universiteti Islamik i Medinës, teksa u hap nga emiri i Rajonit të Medinës, Princi Salman bin Sultan bin Abdulaziz.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë ministra, përfaqësues të institucioneve të fetvasë dhe studiues nga e gjithë bota.

Në seancën e parë, Myftiu Tërnava theksoi se fetvatë e devijuara janë një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Duke folur për Kosovën, ai paralajmëroi kundër fetvave të importuara që nuk e marrin parasysh realitetin e vendit dhe u bëri thirrje të rinjve ta marrin fenë nga dijetarë dhe institucione të besueshme.

Myftiu Tërnava është anëtar i Akademisë së Jurisprudencës Islame pranë Ligës Botërore Islame dhe për më shumë se një dekadë renditet ndër 500 personalitetet më me ndikim në botën islame.

Në këtë Konferencë, Myftiu Tërnava po shoqërohet nga shefi i kabinetit, Besim ef. Mehmeti.