Myftiu Tërnava po merr pjesë në Konferencën dhe Panairin Ndërkombëtar të Haxhit në Xhide të Arabisë Saudite

Prishtinë, më 8 nëntor 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po merr pjesë në punimet e Konferencës dhe Panairit Ndërkombëtar të Haxhit, e cila ka nisur punimet e saj në qytetin e Xhides në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Kjo ngjarje e rëndësishme, e cila organizohet nën kujdesin e Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Mbretit Salman bin Abdulaziz, zhvillohet nën sloganin “Nga Meka në botë”. Ky aktivitet katërditor organizohet nga Ministria e Haxhit dhe Umres e Arabisë Saudite, në bashkëpunim me Programin e Shërbimit për Mysafirët e të Mëshirëplotit.

Në këtë ngjarje të përmasave ndërkombëtare po marrin pjesë mbi 520 ente dhe institucione vendore e ndërkombëtare, me përfaqësim nga më shumë se 150 vende të botës. Panairi shërben si një platformë madhore për mbledhjen e zyrave të çështjeve të haxhilerëve, ofruesve të shërbimeve dhe autoriteteve të ndryshme nga e gjithë bota islame për të koordinuar dhe përmirësuar shërbimet për haxhilerët.

Pjesëmarrja e Myftiut Tërnava në këtë ngjarje ndërkombëtare është e rëndësisë së veçantë përfaqësuese, duke mundësuar fuqizimin e bashkëpunimit me institucionet fetare të Arabisë Saudite dhe ndjekjen nga afër të risive në organizimin e shërbimeve për besimtarët që kryejnë ritualet e Haxhit.