Prishtinë, më 14 mars 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, mori pjesë në iftarin tradicional “Iftari na bashkon”, i cili u shtrua nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit.
Në këtë iftar, përveç besimtarëve të shumtë, mori pjesë edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, deputetë të Kuvendit të Kosovës, familjarë të dëshmorëve, veteranë, pjesëtarë të FSK-së, KFOR-it turk, imamë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Gjilanit.
Nga një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve e mbajtën kryetari i Këshillit të BI-së së Gjilanit, Naim ef. Aliu dhe kryetari i Gjilanit, z. Alban Hyseni, teksa fjalimin kryesor e mbajti Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili përcolli mesazhet dhe porositë që duhet ta shoqërojnë besimtarin gjatë muajit Ramazan.