
Përfaqësuesit e Kosovës shkëlqyen në edicionin e katërt të Garave Ndërkombëtare të Memorizimit të Kuranit, të mbajtura në Shkup nga 26 deri më 29 korrik 2026, duke fituar plot dhjetë nga tridhjetë vendet e mundshme, në konkurrencë me rreth 300 garues nga 29 shtete.
Suksesi më i madh u arrit në kategorinë kryesore të garave, atë të hifzit të tërë Kuranit, ku vendin e parë e fitoi hafëzi nga Gjakova, Alban Doli.
Në kategorinë e dytë, memorizimi i dhjetë xhuzave të Kuranit, Semra Bashani zuri vendin e dytë te vajzat, ndërsa Marigona Mellova dhe Hana Maloku ndanë vendin e tretë.
Në kategorinë e tretë, memorizimi i pesë xhuzave të Kuranit, Muhamed Morina zuri vendin e tretë te djemtë, ndërsa Daria Smajli vendin e tretë te vajzat.
Edhe në kategorinë e katërt, memorizimi i dy xhuzave, përfaqësuesit e Kosovës shënuan rezultate të shkëlqyera. Amra Shala u shpall fituese e vendit të parë te vajzat, ndërsa Adonis Xhemajli zuri vendin e dytë.
Në kategorinë e pestë, atë të bukurleximit, Amar Hoxha fitoi vendin e dytë, Unejs Pajaziti vendin e tretë, ndërsa te vajzat Rejana Ajvazi zuri vendin e dytë.
Bashkësia Islame e Kosovës në këto gara u përfaqësua edhe me hafëzin Mustafë ef. Dallku, i cili ishte anëtar i komisionit vlerësues. Ai theksoi se, pavarësisht konkurrencës së fortë dhe dallimeve shumë të vogla ndërmjet garuesve, komisioni është përpjekur të bëjë një vlerësim sa më korrekt të të gjithë pjesëmarrësve. Sipas tij, procesi i vlerësimit u lehtësua edhe nga përdorimi i aplikacioneve të reja, të cilat mundësuan një vlerësim sa më të saktë.
Vlen të theksohet se të gjithë anëtarët e komisionit, në krye me dr. Sami el Avaxhi, vlerësuan se Kosova këtë vit shënoi fitoren më të madhe, duke pasur përfaqësimin më të suksesshëm dhe më dinjitoz ndër të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
