
Prishtinë, më 31 korrik 2026
Në Shirokë të Suharekës, me një ceremoni solemne, të shoqëruar me këndimin e tekbireve dhe salavateve, u bë përurimi i xhamisë së re, e cila u ndërtua falë donacionit të Sadri Buzhalës.
Në ceremoninë e inaugurimit, përveç banorëve të shumtë të fshatit, të pranishëm qenë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, kryetari i Suharekës, z. Bali Muharremaj, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Suharekës, Haki ef. Hoxha, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe mysafirë të tjerë të shumtë.
Fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni e mbajti kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Suharekës, Haki ef. Hoxha, i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit, e më pas falënderoi donatorin për ndërtimin e kësaj xhamie, për të cilën tha se ishte një nevojë e kamotshme e banorëve të këtij fshati. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë donatorin, z. Sadri Buzhala, duke lutur Zotin e Madhëruar që ta shpërblejë atë me të mira në këtë botë dhe në botën tjetër.
Në fjalën e tij, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se kjo xhami, të cilën po e përurojnë sot, ia shton edhe më shumë hijeshinë fshatit Shirokë. Ai vuri në pah rolin e xhamive në jetën fetare dhe shoqërore, duke theksuar se ato janë vende ku forcohet besimi, kultivohen vlerat dhe edukohet njeriu.
Myftiu Tërnava kujtoi ajetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit a.s., të cilat flasin për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përkujdesjen ndaj xhamive. Ai veçoi hadithin e Pejgamberit a.s., sipas të cilit, kush ndërton një xhami për hir të Zotit të Madhëruar, Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në Xhenet.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava falënderoi donatorin kryesor, Sadri Buzhalën, për këtë vepër bamirëse, si dhe të gjithë ata që, në çfarëdo forme, kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj xhamie.
Një pjesë e fjalës së tij iu kushtua edhe kontributit të Bashkësisë Islame të Kosovës në periudha të ndryshme, me ç’rast falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut, si gjatë periudhës së luftës, ashtu edhe pas saj, veçanërisht përmes Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”. Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëpunimin e mirë me Komunën e Suharekës, duke falënderuar kryetarin Bali Muharremaj për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Në fjalën e tij, kryetari i Suharekës, z. Bali Muharremaj, përgëzoi banorët e Shirokës për ndërtimin e kësaj xhamie dhe shprehu gatishmërinë që bashkëpunimi ndërmjet Komunës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame të Suharekës të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai tha se investimet në shkolla, ambulanca, çerdhe dhe xhami janë investime që u shërbejnë qytetarëve dhe theksoi se kjo xhami nuk do të jetë vetëm vend për faljen e namazit, por edhe qendër për edukimin e brezave të rinj.
Njëri nga donatorët kryesorë të ndërtimit të xhamisë, Sadri Buzhala, e cilësoi inaugurimin si një ditë të veçantë për banorët e Shirokës, duke shprehur besimin se ky objekt do të jetë gjithmonë në shërbim të së mirës dhe të komunitetit.
Pas ceremonisë së inaugurimit, Myftiu Naim ef. Tërnava mbajti hytben e parë në xhaminë e sapopëruruar, ndërsa namazin e xhumasë e udhëhoqi hafëz Mustafë ef. Dallku.
Xhamia e re në Shirokë pritet të shërbejë si qendër e jetës fetare, arsimore dhe edukative për banorët e këtij fshati, duke ofruar një hapësirë për adhurim, mësim dhe aktivitete në shërbim të komunitetit.






