Belgjikë |

Drejtori Simnica vizitoi Qendrën Islame “Dituria” në Antwerpen të Belgjikës

Gjatë vizitës në Belgjikë, drejtori i Diasporës i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, vizitoi Qendrën Islame “Dituria” në Antwerpen të Belgjikës, ku u prit nga kryetari Hyzri Vllasaliu si dhe nga anëtarët e Kryesisë së kësaj xhamie.
Drejtori Simnica përcolli urimet dhe falënderimet e Kryesisë dhe të Myftiut Tërnava për kryetarin dhe Kryesinë e xhamisë “Dituria”, e më pas i njohu me punën e Bashkësisë Islame dhe për aktivitetet e saj, me theks të veçantë për medresetë, Fakultetin e Studimeve Islame dhe institucionet e hifzit.
Nga ana e tij, kryetari Vllasaliu, falënderoi drejtorin Simnica për vizitën dhe e njohu për aktivitetet në kuadër të xhamisë së tyre dhe për blerjen e objektit të ri për xhami, si dhe për punët dhe angazhimin e tyre në renovimin e këtij objekti.
Drejtori për Diasporë i BIK-ut shfrytëzoi rastin që të vizitojë objektin e blerë për xhaminë e re dhe inspektoi për së afërmi punimet e bëra në këtë objekt. Drejtori Simnica e uroi kryetarin, Kryesinë e xhamisë dhe xhematin për blerjen e objektit dhe nisjen e punimeve për renovimin e qendrës së re, duke ju dëshiruar punë të mbarë dhe që sa ma shpejt të përfundojnë renovimin e këtij objekti. Gjithashtu, ai i siguroi se BIK-u është shumë i interesuar për ruajtjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit me çdo qendër.
Me këtë rast, drejtori Simnica, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, për kontributin dhe angazhimin e dhënë me rastin e ndërtimit të kësaj xhamie, i dorëzoi një mirënjohje kryetarit të xhamisë “Dituria” Hyzri Vllasaliu.