Drejtori Rogova mbajti ligjëratë para studentëve të Fakultetit Ekonomik të UP-së

Prishtinë, më 22 prill 2025

Drejtori financiar i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Tanseli Rogova, sot, para studentëve të Fakultetit Ekonomik, mbajti ligjëratën me temën: “Menaxhimi financiar në BIK: midis besimit publik dhe efikasitetit organizativ”.

Ligjërata u fokusua në rolin kompleks të menaxhimit financiar brenda një institucioni me rëndësi të veçantë publike dhe shpirtërore siç është Bashkësia Islame e Kosovës.

Drejtori Rogova ndau me studentët përvojat praktike nga puna e tij në menaxhimin e burimeve financiare, sfidat e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe balancimin e efikasitetit organizativ me ruajtjen e besimit të komunitetit.

“Institucionet fetare sot përballen me nevojën për të qenë njëkohësisht të përgjegjshme, efikase dhe të hapura ndaj qytetarëve. Menaxhimi financiar në këtë kontekst kërkon jo vetëm njohuri profesionale, por edhe ndjeshmëri të lartë etike dhe shoqërore,” u shpreh ndër të tjera z. Rogova gjatë ligjëratës.

Studentët e Fakultetit Ekonomik patën rastin të diskutojnë rreth praktikave të menaxhimit financiar në sektorin jo-fitimprurës, të mësojnë më shumë për strukturën organizative të Bashkësisë Islame, si dhe të bëjnë pyetje rreth sfidave dhe zgjidhjeve konkrete që ka përballuar institucioni në vite.

Në fund të ligjëratës, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Driton Balaj dhe prof. Liridon Veliu, falënderuan z. Rogova për ndarjen e përvojës së tij dhe theksoi se përfshirja e profesionistëve të tillë në aktivitetet akademike është thelbësore për përgatitjen e studentëve me njohuri të aplikuara dhe për kuptimin më të mirë të realitetit ekonomik në vend.