Prishtinë, më 6 maj 2025
Në ambientet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, sot u mbajt një takim i rëndësishëm ndërmjet udhëheqësve të Haxhit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe udhëheqësve të haxhilerëve nga Këshillat lokalë të BIK-ut.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili përshëndeti të pranishmit dhe shprehu falënderim për punën dhe angazhimin e deritanishëm të të gjithë të përfshirëve në organizimin e Haxhit.
Myftiu Tërnava porositi udhëheqësit që të rrisin edhe më tej përkushtimin e tyre në shërbim të haxhilerëve dhe të jenë të gatshëm që t’u përgjigjen me përgjegjësi të gjitha kërkesave dhe nevojave që ata mund të kenë gjatë këtij rrugëtimi të rëndësishëm shpirtëror.
Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të mirë ndërmjet Kryesisë dhe Këshillave lokalë për të siguruar një organizim sa më të suksesshëm dhe një përvojë të dinjitetshme për haxhilerët tanë në vendet e shenjta.
Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të rëndësishme që lidhen me përgatitjet logjistike, udhëzimet fetare dhe kujdesin ndaj haxhilerëve, duke theksuar rolin qendror të udhëheqësve lokalë në këtë proces.
Ky takim vjen në prag të nisjes së përgatitjeve finale për Haxhin 2025, duke dëshmuar angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për një organizim të përkushtuar dhe të suksesshëm.