Prishtinë, më 16 prill 2026
Organizuar nga Fondacioni “Drita”, sot në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, u mbajt Tryeza e dialogut ndërfetarë me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore”, e cila rreth vetes mblodhi përfaqësues të komuniteteve fetare, institucioneve dhe jetës publike në vend.
Kjo tryezë u mbajt për vitin e dytë me radhë, ndërsa kësaj here nikoqire ishte Bashkësia Islame e Kosovës, pasi vitin e kaluar ishte organizuar në Katedralen “Nëna Terezë” në kryeqytet.
Nikoqiri i kësaj Tryeze, Myftiu Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij përshëndetëse tha se respektimi i besimit të tjetrit nuk është vetëm vlerë shoqërore, por edhe mësim nga i Dërguari i Zotit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se diversiteti ndërfetar mbetet një nga shtyllat themelore të Kosovës, duke vlerësuar rolin e prijësve fetarë.
Zef Gashi, kryetar i Fondacionit “Drita”, tha se organizimi dhe mikpritja kaq e ngrohtë nga Bashkësia Islame e Kosovës është dëshmia më e mirë e frymës bashkëpunuese dhe tolerancës ndërfetare në Kosovë.
Përfaqësuesi i KFOR-it, kapelani Hornback, tha se prijësit fetarë janë ata që kanë fuqinë të bashkojnë njerëzit dhe të shmangin ndarjet mbi baza fetare, duke shtuar se në Kosovë qytetarët e kanë bërë të ndihet si në shtëpinë e tij, duke i dhënë një shembull të bashkëjetesës.
Tryeza e dialogut ndërfetar, tashmë në edicionin e saj të dytë, synon të forcojë më tej frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve fetare në Kosovë, duke e kthyer këtë vlerë në një shembull për rajonin dhe më gjerë.









