Prishtinë, më 7 maj 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim kryetarin e Unionit të Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani, Mensur ef. Halili.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Unionit të Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani, me theks të veçantë në forcimin e lidhjeve institucionale dhe intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta në shërbim të komunitetit shqiptar në diasporë.
Myftiu Tërnava vlerësoi punën dhe angazhimin e Unionit në ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në Gjermani, duke shprehur gatishmërinë e BIK-ut për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.
Në fund të takimit, kryetari Halili i dhuroi Myftiut numrin e parë të revistës së sapo botuar të Qendrës, me titull “Perspektiva”, duke e cilësuar atë si një platformë të rëndësishme për komunikim dhe informim të komunitetit.