Kryesia e BIK-ut hap dyert për urimet e Fitër Bajramit

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) hapi dyert e selisë qendrore me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke pranuar urime nga liderët shtetërorë, përfaqësues të partive politike dhe komuniteteve fetare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Albin Kurti vizituan selinë e BIK-ut për të përcjellë urimet e tyre ndaj Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, dhe besimtarëve myslimanë, duke theksuar rëndësinë e harmonisë dhe solidaritetit mes qytetarëve.

Në këtë pritje morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndër të parët që vizituan selinë e BIK-ut për të uruar Fitër Bajramin ishte Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji.

Pritja për urimet e Bajramit në Bashkësinë Islame të Kosovës është shndërruar në një traditë, ku figura të ndryshme të vendit shprehin urimet e tyre për këtë festë.