Prishtinë |

Kryeimami Sahiti takoi imamët e Këshillit të BI-së së Podujevës

Në prag të fillimit të muajit të bekuar Ramazan, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame (KBI) të Podujevës, ku u prit nga kryetari Mensur ef. Hoti. Gjatë kësaj vizite, u mbajt një takim me imamët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës.

Fillimisht, kryeimami Sahiti falënderoi kryetarin për organizimin e takimit me imamët dhe për punën dhe angazhimin e tyre të palodhshëm në komunitet, duke i përgëzuar ata për kontributin që po japin në xhamitë e komunës së Podujevës. Ai më pas shpalosi platformën e aktiviteteve për muajin e Ramazanit dhe prezantoi qarkoren e Kryesisë së Bashkësisë Islame, e cila iu dërgua të gjitha këshillave të BI-së.

Gjatë takimit, kryeimami Sahiti kërkoi nga imamët një përkushtim edhe më të madh në punë, sidomos gjatë këtij muaji të bekuar, pasi ky është amaneti që na është ngarkuar – amaneti i kumtimit të drejtë të fjalëve të Zotit dhe mësimeve të Pejgamberit a.s.. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të imamëve me xhematët e tyre në terren për të plotësuar nevojat shpirtërore dhe praktike të besimtarëve.

Në vazhdim, u diskutuan edhe çështje të tjera me interes, sidomos në fushën e mësim-besimit, ku muaji i Ramazanit paraqet një mundësi të artë për edukimin e brezave të rinj. Në fund të takimit, kryeimami Sahiti uroi imamët për muajin e bekuar Ramazan, duke lutur për shëndetin e tyre, të familjeve dhe të gjithë besimtarëve kudo që janë.