
Prishtinë, më 28 tetor 2026
Me synimin për të ndriçuar historinë dhe kontributin e medreseve në jetën arsimore, fetare dhe kombëtare të shqiptarëve, Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame, i cili vepron në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, së bashku me Medresenë e Mesme “Alauddin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Medresetë te shqiptarët: histori – trashëgimi – kontribut”.
Rreth 60 studiues dhe referues janë bërë bashkë për të trajtuar trashëgiminë e këtyre institucioneve dhe rolin e tyre në formimin intelektual dhe edukimin e brezave.
Në hapje të Konferencës, përfaqësues institucionalë dhe drejtues të bashkësive islame theksuan rolin historik të medreseve në zhvillimin arsimor, fetar dhe kulturor të shqiptarëve.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora, tha se medresetë në trojet shqiptare kanë qenë pikënisje e formimit intelektual dhe e edukimit fetar e kombëtar. “Medresetë në trojet shqiptare ishin pikënisje e formimit intelektual, arsimimit dhe edukimit fetar e kombëtar” – tha ndër të tjera prof. Bajgora.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, theksoi se medresetë dhe mejtepet, në trevat shqiptare ndër shekuj, kanë qenë vatra të dijes, edukimit fetar dhe kultivimit të vlerave kombëtare e kulturore.
“Në mbarë trevat shqiptare, ndër shekuj, kanë vepruar medresetë dhe mejtepet e shumta, të cilat kanë qenë vatra të arsimit dhe edukimit fetar, të formimit intelektual dhe të kultivimit të vlerave shqiptare, kombëtare e kulturore. Në këto institucione janë arsimuar breza të tërë shqiptarësh, burra dhe gra, duke dhënë një kontribut të çmuar në vazhdimësinë e dijes dhe traditës sonë.”
Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi se studimet shkencore për historinë e medreseve po e rikthejnë këtë trashëgimi në vendin që meriton në historinë shqiptare. Ai rikujtoi edhe kontributin e prijësve fetarë dhe intelektualëve nga Rilindja Kombëtare dhe deri në luftën për çlirimin e vendit.
“Duke i paraqitur studimet tuaja për historinë dhe trashëgiminë e medreseve te shqiptarët, ju po e rikuperoni një kulturë dhe traditë të veçantë të shkollave fetare, duke i shkencëzuar ato dhe duke u dhënë vendin e merituar në historinë tonë. Medresetë, prijësit fetarë dhe këta intelektualë kanë dhënë kontribut edhe në Rilindjen Shqiptare, për ta dashur atdheun dhe për të luftuar për çlirimin e tij deri në vdekje. Vatan dhe iman shkojnë bashkë,” – tha ndër të tjera kryeministri Kurti
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar ef. Spahiu, tha se medresetë kanë shërbyer si urë lidhëse mes trashëgimisë së së kaluarës dhe nevojave të reja të shoqërisë shqiptare, duke ndërthurur identitetin fetar me atë kombëtar dhe përgjegjësinë qytetare.
“Në këtë rrugëtim, medresetë kanë përfaqësuar një urë mes trashëgimisë së mëparshme dhe nevojave të reja të shoqërisë shqiptare. Medresetë dhe formimi i identitetit kombëtar e fetar janë të ndërlidhura. Historia shqiptare na ofron shumë shembuj të ndërthurjes së përkatësisë fetare me atë kombëtare dhe përgjegjësinë qytetare.”
Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, i cilësoi medresetë si një shtyllë të rëndësishme të arsimit, duke theksuar rolin e familjes, nxënësit dhe mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor.
“Mendoj fuqishëm se medresetë janë shpirti i arsimit dhe model i zhvillimit të procesit edukativo-arsimor, të bazuar në tri shtylla, të cilat janë kyçe edhe për zhvillimin e përgjithshëm: ambienti i shëndoshë familjar, nxënësi me vetëdije të lartë për misionin e tij dhe mësimdhënësi me profesionalizëm dhe moral të lartë.”
Konferenca zhvillohet në një vit të veçantë edhe për Medresenë “Alauddin”, e cila shënon 75-vjetorin e themelimit. Punimet do të vazhdojnë për dy ditë me radhë, përmes referimeve shkencore që trajtojnë historinë, trashëgiminë dhe kontributin e medreseve shqiptare.