Prishtinë, më 9 prill 2025
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Vedat Sahiti, priti në takim shefen e Zyrës së UNFPA-së, znj. Visare Mujko-Nimani, me të cilën diskutuan për iniciativat dhe projektet për fushatat vetëdijesuese, të cilat synojnë të adresojnë çështjet e rëndësishme shoqërore, si dhunën me bazë gjinore, kancerin e gjirit, si dhe kujdesin për moshat e shtyra.
Kryeimami Sahiti theksoi rëndësinë e mobilizimit të komunitetit për të luftuar dhunën dhe për të promovuar respektin dhe barazinë gjinore. Ai tha se Bashkësia Islame do të jetë gjithherë aktive në mbështetje të fushatave që promovojnë trajtimin e drejtë të të gjitha individëve, pa marrë parasysh gjininë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte diskutimi mbi fushatën vetëdijësuese kundër kancerit të gjirit, një sëmundje që prek një numër të madh grash në Kosovë dhe botë. Diskutimi i kësaj teme u fokusua në rëndësinë e hershme të diagnostikimit dhe mbështetjes për gratë që luftojnë kundër kësaj sëmundjeje, si dhe edukimin për kujdesin shëndetësor në përgjithësi.
Po ashtu, kryeimami Sahiti dhe znj. Mujko-Nimani diskutuan mbi rëndësinë e kujdesit për të moshuarit, duke theksuar nevojën për mbështetje dhe angazhim të shoqërisë për të siguruar kushte më të mira jetese për personat në moshë të shtyrë.