Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit
“Sakrifica dhe nataliteti – garanci për të ardhmen”
Të nderuar qytetarë,
Vëllezër dhe motra!
-Falënderimi i takon Zotit të botëve, i Cili na mundësoi që ta arrijmë këtë ditë të madhe feste, me shëndet, me zemër të pastruar dhe me shpresë të ripërtërirë për Kurban Bajram. Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin a.s., mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë besimtarët që ndjekin rrugën e drejtë.
Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe reflektimi. Është ditë kur rikujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që Ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë drejt njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi.
Kurban Bajrami është ditë e madhe, ditë adhurimi, sakrifice dhe solidariteti. Është kujtim i gjallë i sakrificës së madhe të pejgamberit Ibrahim a.s., i cili, me bindje të plotë ndaj urdhrit të Zotit, ishte i gatshëm që ta flijonte djalin e tij Ismailin a.s..
Në lidhje me këtë, Zoti në Kuran thotë:
كَذَٰلِكَ نَجۡزِي ٱلۡمُحۡسِنِينَ إِنَّهُۥ مِنۡ عِبَادِنَا ٱلۡمُؤۡمِنِينَ
“Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punë mirët. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Es Safat, 111).
Kur ata të dy, babë e bir, iu nënshtruan urdhrit të Zotit, Ai e zëvendësoi Ismailin a.s., me një kurban të madh. Zoti i Madhërishëm thotë:
إِنَّ هَٰذَا لَهُوَ ٱلۡبَلَٰٓؤُاْ ٱلۡمُبِينُ وَفَدَيۡنَٰهُ بِذِبۡحٍ عَظِيمٖ
“Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.” (Es Safat, 107)
Sot, ne jemi mbledhur në këtë xhami dhe në të gjitha xhamitë e tjera të vendit tonë të lirë, jo vetëm për t’u falur dhe festuar këtë ditë të madhe për besimtarët, ditë e cila bashkon sakrificën me përkushtimin, por edhe për të prekur një ndër vlerat më të thella të besimit islam, thellësitë më të ndritura të besimit tonë. Kjo është një ditë që nuk e kufizon gëzimin në formë, por e rrënjos në zemër – aty ku sakrifica, falja dhe devotshmëria bashkohen në një kulm të lartë shpirtëror, për ta jetësuar më të dashurën për hir të së vërtetës hyjnore.
Prandaj, për haxhin mund të themi se është një rikthim te burimi i jetës, një udhëtim kah vetja e thellë, kah ajo pjesë e shpirtit që përkulet para Zotit me përulësi dhe ngrihet me dinjitet.
Është akti suprem i pastrimit shpirtëror dhe i besimit që shndërrohet në përjetësi. Andaj nuk ka gjë më të bukur sesa të jesh në vendin ku shpirti gjen qetësinë e përjetshme.
Sot, haxhilerët tanë të dashur, burra dhe gra nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare kthehen nga Arafati në Meken e shenjtë me ballin lart dhe zemrën e lehtësuar, ngase ata përfunduan edhe një obligim jetësor për Zotin xh.sh., duke e vendosur haxhin si një akt kulmor të pastrimit moral dhe shpirtëror.
Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë:
الحج المبرور ليس له جزاء إلا الجنة
“Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveçse Xhenetit.” (Buhariu dhe Muslimi).
Le të kumbojë ky Bajram si një thirrje e qartë për më shumë dashuri, për më shumë drejtësi dhe për më shumë unitet. Le të jetë një ditë që nuk mbetet vetëm kujtim solemn, por një nxitje e gjallë për të jetuar me vlera, për të ndërtuar me besim dhe për të qëndruar me dinjitet, në emër të paqes, besimit dhe së mirës.
Të dashur qytetarë,
Kurban Bajrami na mëson se feja jonë kërkon sakrificë jo vetëm në aspektin material, por edhe në përpjekje për ta përmirësuar shoqërinë, për ta ruajtur atdheun, për ta forcuar familjen dhe për ta mbrojtur të ardhmen tonë.
Sakrifica që kërkohet prej nesh sot nuk është ajo e pejgamberit Ibrahim a.s., por është sakrifica për ta ruajtur moralin, kulturën, gjuhën dhe vetë ekzistencën tonë si komb. Sot sakrifica është që t’i qëndrojmë afër familjes, t’i edukojmë fëmijët në frymën e drejt fetare dhe kombëtare, si dhe të kontribuojmë për të ardhmen e vendit tonë.
Ne duhet ta mbrojmë Kosovën jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete, e njëra ndër to është edhe forcimi dhe edukimi i familjes si bërthamë e shoqërisë. Ne jemi vëllezër dhe motra mes vete, prandaj duhet të jemi mbështetje për njëri-tjetrin, veçanërisht për ata që kanë zgjedhur të kenë familje të madhe, sepse ata po e mbajnë gjallë kombin dhe besimin.
Në këto kohë, Kosova po përballet me një rënie serioze të natalitetit. Familjet e reja ngurrojnë të lindin më shumë se një apo dy fëmijë për arsye të ndryshme, shpesh ekonomike, por edhe për shkak të frikës dhe pasigurisë. Disa po migrojnë nga Kosova dhe vendet e tjera shqiptare, disa edhe në këtë kohë kur ne po flasim, në shtetet përreth nesh po asimilohen duke e humbur gjuhën shqipe si gjuhë të nënës, dhe ne kemi ngelur vetëm si spektatorë pasivë.
Por le të kujtojmë se parimet e fesë sonë nxisin që ne të kemi familje të madhe dhe të mos frikësohemi për riskun e tyre, ngase atë e ka garantuar Krijuesi ynë.
Zoti i Madhërishëm në Kuran thotë:
۞ وَمَا مِن دَآبَّةٖ فِي ٱلۡأَرۡضِ إِلَّا عَلَى ٱللَّهِ رِزۡقُهَا وَيَعۡلَمُ مُسۡتَقَرَّهَا وَمُسۡتَوۡدَعَهَاۚ كُلّٞ فِي كِتَٰبٖ مُّبِينٖ
“S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë.” (Hud, 6).
Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë:
تزوجوا الودود الولود، فإني مكاثر بكم الأمم يوم القيامة
“Martohuni me gra që lindin shumë dhe që janë të dashura (me burrat), sepse unë do të krenohem me numrin tuaj përpara pejgamberëve në Ditën e Kiametit.”
Ky ajet dhe hadithi i cekur më lartë na ftojnë ta shohim familjen e madhe jo si barrë dhe frikë nga risku, por si bekim dhe kontribut për shoqërinë dhe për kombin. Kosova ka nevojë për më shumë fëmijë, për më shumë të rinj, për jetë më të mirë. Kombi ynë po zbehet në numër, ndërkohë që shumë familje shqiptare në të kaluarën i kanë rritur edhe nga dhjetë apo më shumë fëmijë, në kushte shumë më të vështira sesa sot, atëherë kur ishin të okupuar me një okupim klasik nga Serbia.
Nataliteti si strategji kombëtare dhe fetare për mbrojtjen e atdheut dhe fesë, ndërlidhet me mbijetesën kombëtare, identitetin fetar dhe sigurinë shtetërore. Historia e kombit tonë ka kaluar nëpër sprova të rënda, një ndër sfidat më të mëdha në ato kushte okupimi ka qenë mbijetesa, jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore, kulturore dhe identitare. Në këtë kontekst, nataliteti apo lindshmëria, nuk ishte thjesht një fenomen biologjik e statistikor, por një strategji jetike, që prekte në rrënjë sigurinë, zhvillimin dhe vazhdimësinë e kombit dhe fesë.
Vatani nuk mbrohet vetëm me armë, por mbi të gjitha mbrohet me popullsi të shëndoshë, të arsimuar dhe të ndërgjegjshme. Në këtë kuptim, nataliteti është një lidhje e fortë strategjike për mbijetesën kombëtare, sidomos në rajonet ku shqiptarët janë pakicë ose të rrezikuar nga asimilimi. Në këto kushte, rënia e natalitetit është një alarm kombëtar. Shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështesë familjet me politika pro natalitetit, siç janë: punësimi i dy prindërve, lehtësimet ekonomike, mbështetja për nënat shtatzëna, kujdesi për fëmijët etj. Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë, dhe çdo çifti, të cilët kanë katër e më shumë fëmijë i propozoj qeverisë që t’ua dhuroj nga një banesë.
Kjo nuk është thjesht vetëm nevojë ekonomike për këto familje, por është edhe përgjegjësi morale, fetare dhe kombëtare, sepse duke përkrahur familjen e madhe, ne ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë dhe një të ardhme të qëndrueshme. Duke e pasur bindjen se këto familje nuk janë barrë për shoqërinë tonë, por ato janë garanci për të ardhmen e sigurt të vatanit tonë të dashur.
Kur një segment i popullatës është në nevojë, dhe veçanërisht kur ata përfaqësojnë të ardhmen biologjike dhe morale të kombit, atëherë intervenimi institucional bëhet obligim moral dhe civilizues. Familjet me shumë fëmijë e ruajnë edhe më shumë gjuhën, fenë, kulturën dhe rendin natyror të jetës. Prandaj, përkrahja e tyre është një investim në të ardhmen kombëtare dhe një përmbushje e urdhëresave hyjnore për drejtësi dhe përkujdesje sociale.
Vëllezër dhe motra,
Në këtë ditë të bekuar, kujtojmë të varfrit, jetimët, të sëmurët, të vetmuarit dhe njerëzit në nevojë. Begatimi i sofrës për njerëzit në nevojë, në ditën e Bajramit, përbën një akt të lartë solidariteti dhe humanizmi, që mishëron thelbin etik dhe shpirtëror të kësaj feste.
Zoti i Madhërishëm na urdhëron:
۞ إِنَّ ٱللَّهَ يَأۡمُرُ بِٱلۡعَدۡلِ وَٱلۡإِحۡسَٰنِ وَإِيتَآيِٕ ذِي ٱلۡقُرۡبَىٰ وَيَنۡهَىٰ عَنِ ٱلۡفَحۡشَآءِ وَٱلۡمُنكَرِ وَٱلۡبَغۡيِۚ يَعِظُكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَذَكَّرُونَ
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En Nahl, 90).
Ky gjest nuk është thjesht bamirësi, por një manifestim i drejtësisë sociale dhe i ndërgjegjes kolektive, ku pasuria ndan kuptimin me varfërinë dhe gëzimi bëhet i përbashkët. Në një ditë kur besimtari falënderon Zotin për mëshirën dhe begatinë, ndarja e bukës me të tjerët është shprehje konkrete e devotshmërisë, e përulësisë dhe e dashurisë ndaj tjetrit. Ky nuk është vetëm detyrim fetar, por edhe akt qytetarie dhe përgjegjësie morale ndaj trupit të përbashkët shoqëror.
Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë:
ليس المؤمن الذي يشبع وجاره جائع
“Nuk është besimtar ai që fle i ngopur, ndërsa fqinji i tij është i uritur.”
Të dashur besimtarë,
Në këtë ditë të festës së Kurban Bajramit, le ta falënderojmë Zotin e Madhëruar për gjithçka që na ka dhënë.
Le ta mbajmë gjallë sakrificën, dashurinë për njëri-tjetrin, për vatanin, si dhe të punojmë për një Kosovë me më shumë jetë, me më shumë fëmijë dhe me më shumë shpresë.
Le të jetë ky Bajram një thirrje për më shumë drejtësi sociale, për ndihmë të ndërsjellë, për bashkim dhe dashuri ndërmjet njerëzve, për më shumë ndërgjegje, për ta bashkuar mendjen me zemrën, dijen me përgjegjësinë dhe suksesin në shërbim për të mirën e përbashkët të vendit tonë.
Zoti e bekoftë popullin tonë!
Zoti e ruajt Kosovën!
Zoti i bekoftë familje tona dhe na udhëzoftë në rrugën e drejtësisë dhe të mëshirës!
Me fat festa e Kurban Bajramit!
Myftiu Naim ef. Tërnava
Prishtinë, më 6 qershor 2025