Të nderuar vëllezër!
Java që po lëmë pas u karakterizua për disa ngjarje të dhunshme të cilat shqetësuan jashtëzakonisht shumë shoqërinë dhe komunitetin tonë. Vrasjet e ndodhura në disa komuna gjithandej Kosovës për qëllime nga më të ulëtat; dhuna familjare që po vazhdon të jetë tregues i mungesës së emancipimit të mirëfilltë shoqëror; aksidentet e shumta me fatalitet në trafik; zjarrvëniet e qëllimshme që po shkatërrojnë qindra hektarë tokë e male, të gjitha këto na kanë rënë si një hije e zezë, e cila sikur po përpiqet që kësaj shoqërie t’ia errësojë rrugën drejt zhvillimit dhe prosperitetit. Është situatë tejet shqetësuese dhe me të drejtë po bëhen thirrje që të lëvizet në drejtim të trajtimit serioz të saj. Edhe ne, si komunitet fetar që jemi, me shtrirjen gjithandej Kosovës, karshi këtyre fenomeneve nuk mund të qëndrojmë duarkryq asesi.
Prandaj sot, në hytben e kësaj xhumaje, me lejen e Zotit, në fokus do të kemi vrasjet dhe fajden si dy dukuri më të rënda dhe zgjidhjet e tyre fetare. Më qartë, do t’ua rikujtojmë sërish rëndësinë e fesë në jetën publike dhe po, do të bëjmë sërish thirrjen tonë të vazhdueshme që shteti t’i jep fesë hapësirën që i takon sepse kështu do të përfitojë shoqëria.
Xhematlinj të nderuar!
Nëse ndalemi dhe shikojmë motivet që qëndrojnë prapa këtyre krimeve, veçmas vrasjeve, do të shohim se janë nga më banalet. Ose ndodhin për gjëra absurde, siç ishin ndeshja e qenve, parkimi i veturave, shkelja e arës së fqinjit nga lopët, ose për mëkate të mëdha, siç është fajdeja. Paralajmërimi i Pejgamberit Muhamed a.s., me rastin e përshkrimit të gjendjes e cila do të mbizotërojë në kohën e fundit, përmend edhe vrasjen si fenomen si dhe shkaqet e saj. Ebu Hurejre r.a., përcjell të ketë thënë Pejgamberi Muhamed a.s.: “Ju betohem në Zotin, se dynjaja nuk do të shënojë fundin e saj derisa të mos vijë dita kur vrasësi nuk do ta dijë përse ka vrarë dhe i vrari përse është vrarë…” [Muslimi, nr. 2908]
Pra, është si të thuash gjendje kaotike ku njerëzit për hiçgjë vrasin ose arsyet që ofrojnë për të vrarë janë absolutisht të pajustifikuara. Vrasjet po ndodhin kryesisht për shkak të fajdesë, këtij krimi të cilin feja e dënon maksimalisht. Në Kur’anin fisnik, Allahu i plotfuqishëm i shpall luftë këtij fenomeni dhe akterëve të tij: ﴿ ياَ أيَُّهَا الذَِّينَ آمَنُوا اتقَُّوا اللَََّّ وَذَرُوا مَا بَقِيَ مِنَ ال رِباَ إِن كنُتمُ مُّؤْمِنيِنَ ﴿٢٧٨﴾ فإَِن لمَّْ تفَْعلَُوا فأَذْنَُوا بِحَرْبٍ مِنَ اللََِّّ وَرَسُولِهِ ﴾
“O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.” [Bekare: 278-279]
Pejgamberi Muhamed a.s., duke numëruar shtatë mëkatet e mëdha të cilat kanë efekt shkatërrues për kryerësin e tyre përmend edhe kamatën. Buhariu (2766) dhe Muslimi (89) shënojnë hadithin e Ebu Hurejres r..a, në të cilin qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese. Cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut?- e pyetën. Tha: idhujtaria, magjia, vrasja e padrejtë e njeriut, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, dezertimi nga fushëbeteja dhe shpifja për besimtaret e ndershme dhe të pafajshme.”
Siç mund ta shohim, kamata është radhitur përkrah mëkateve të mëdha. Myslimanë të nderuar! Shkaqe tjera që çojnë në këto fenomene janë edhe vetëgjyqësia dhe moszbatimi i ligjeve përkatëse nga autoritetet shtetërore. Në mungesë të ligjit të mirëfilltë dhe të zbatimit të tij, ndodhin krime të këtilla. Pavarësisht që dukuria e fajdesë është përhapur shumë, sipas dëshmive zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, aktualisht vetëm katër persona janë të dënuar për fajde. Tani, cili është roli që feja mund ta luajë në këtë drejtim? Çfarë mund të ofrojë që fenomene të këtilla të zbuten dhe të mos kenë këtë ashpërsi? Ideja fetare për trajtimin e këtyre fenomeneve fokusohet në dy fusha të rëndësishme: E para, vetëdijesimin e qytetarëve duke përkujtuar lidhjen e tyre me Zotin. Fakti se do të dalim para Tij për të dhënë llogari në jetën e përtejme e cila është e përhershme, në të cilën llogaritet çdo gjë, përbën në vete një frenues të pakrahasueshëm. Të shohim se si e trajton feja vrasjen për ta parë se sa shumë mund të ndikojë ajo në luftimin e këtij fenomeni.
Allahu i madhëruar e përshkruan vrasjen e tjetrit si një mëkat për të cilin nuk ka dënim të ngjashëm.
﴿ وَمَن يَقْتلُْ مُؤْمِناً مُّتعََ مِدًا فجََزَاؤُهُ جَهَنمَُّ خَالِدًا فيِهَا وَغَضِبَ اللََُّّ عَليَْهِ وَلعَنََهُ وَأعََدَّ لَهُ عَذَاباً عَظِيمًا ﴿٩٣﴾
“Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” [Nisa: 93]
Duke marrë parasysh këtë dënim të përmendur në këtë formë, disa nga dijetarët, si p.sh., Ibën Abbasi r.a., kanë ardhur në përfundim se për vrasësin nuk ka pendim. Kjo mbase edhe duke u bazuar në hadithin e përcjellë nga Ebu Derda r.a., në të cilin qëndron se Pejgamberi Muhamed a.s., ka thënë: “Çdo mëkat ka shpresë se Zoti mund ta falë përveç idhujtarisë dhe vrasjes së qëllimshme të besimtarit.” (Ebu Davudi, nr. 4270; Nesaiu, nr. 3894)
Në hadithin e përcjellë nga Abdullah bin Omeri r.a., qëndron se Pejgamberi a.s ka thënë: “Tek Allahu as shkatërrimi i tërë dynjasë nuk është më i rëndë se vrasja e myslimanit.” (Tirmidhiu, nr. 1395; Nesaiu, nr. 3987)
Me këtë dënim kërcënohet edhe ai që ndihmon në çfarëdo forme për të ardhur deri tek vrasja. Vetëm shikoni se si është shprehur Pejgamberi Muhamed a.s.: “Sikur banorët e qiellit dhe banorët e tokës të bëheshin bashkë për gjakun (vrasjen) e një besimtari, Allahu të gjithë do t’i hidhte në zjarr.” (Tirmidhiu, 1398)
E dyta, forcimi i ligjit. Udhëzimet fetare thërrasin në forcimin e ligjit sepse jo të gjithë njerëzit kanë ndërgjegje të pastër dhe jo të gjithë i pranojnë këshillat. Sahabiu i nderuar, Uthman bin Affani r.a., ka thënë: “Atë që nuk e ndalon Allahu nëpërmjet Kur’anit, e ndalon nëpërmjet sulltanit.” Me fjalë tjera, nëse këshillat kur’anore nuk frenojnë ndonjë mëkatar nga kryerja e mëkateve, e frenon ligji. Prandaj ligji duhet të merret parasysh, të forcohet, të ndëshkojë ashpër kriminelët, sepse kështu mbyllet dera e të këqijave.
Të dashur besimtarë!
Për shkak se të gjithë prekemi në një ose formë tjetër nga këto fenomene, duhet të bashkëpunojmë të gjithë për luftimin e tyre. Hapësirat më të mëdha për edukimin fetar do të ndikojnë në zbutjen e këtyre fenomeneve dhe minimizimin e tyre. Kështu përfituese do të jetë shoqëria, do të jemi ne, prandaj bëjmë thirrje që edukimi fetar të përfshihet në kurrikulat e arsimit shtetëror