Të nderuar vëllezër besimtarë!
Kjo është xhumaja e fundit e muajit Ramazan. Ditët e tij të numëruara kaluan shumë shpejt e bashkë me to edhe kjo atmosfera e bukur e adhurimit. Sonte e falim edhe namazin e fundit të teravive për këtë Ramazan, këtë namaz që përgjatë një muaji të tërë na ka bashkuar në shtëpitë e Allahut duke na dhuruar kënaqësi dhe përjetime të jashtëzakonshme. Prandaj është normale të na emocionojë kjo kohë kur ndarja me këtë mik të shtrenjtë po afron gjithnjë e më shumë sepse, për ne, këto ditë dhe net nuk janë thjesht ditë dhe net të një muaji, por janë ditët dhe netët më të mira të jetës sonë, ditët dhe netët që fshehin shansin dhe mundësinë e jetës për të shpëtuar në këtë dhe botën tjetër.
Besimtarë të dashur!
Ndarja nga Ramazani nuk nënkupton shkëputjen me të, shpirtërisht jo se jo, por as fizikisht. Ndarja, në fakt, nënkupton një fillim të ri, një vazhdim më ndryshe; vazhdimin e rrugëtimit të jetës me mësimet dhe përvojat e Ramazanit. Si shkollë, Ramazani na ka përgatitur për tu ballafaquar me sfidat dhe problemet e jetës. Ramazani na ka mësuar se jeta nuk jetohet pa Zotin dhe se nuk ka rrugë tjetër që të udhëzon dhe bën të lumtur pos rrugës së Tij. Ramazani këtë program e ka bërë kod të jetës sonë:
﴿ إِنَّمَا كَانَ قَوْلَ الْمُؤْمِنِينَ إِذَا دُعُوا إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ لِيَحْكُمَ بَيْنَهُمْ أَن يَقُولُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۚ وَأُولَٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ ﴿٥١﴾
“Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.” [Nur: 51]
Ramazani, krahas këtyre mësimeve, na ka dhënë edhe motivin për të qëndruar i fortë në këtë rrugë. Ditët e tij të numëruara ngjajnë me qëndrimin tonë të numëruar në këtë botë; janë jeta në miniaturë, dhe, sikur që na gëzon festa pas një muaji të tërë adhurim, do të na gëzojë shpëtimi pas një jete të tërë adhurim. Jo rastësisht, gëzimi i dytë për agjërimin është kur ta takojmë Allahun e madhëruar. Prandaj, t’ia sjellim vetes ndërmend se, sikur që po mundohemi të “përvetësojmë” nga koha e Ramazanit për të shtuar sa më shumë të mirat, po kështu duhet të bëjmë me ditët e jetës që të shtojmë të mirat. Sa fjalë të bukura ka thënë Sahabiu i nderuar, Abdullah bin Mesudi r.a.: “Nuk ndihem keq për asgjë sikur për ditën në të cilën ka perënduar dielli: më është shkurtuar jeta për një ditë ndërsa nuk më janë shtuar veprat e mira me asgjë.”
Myslimanë të respektuar!
Ditët e fundit të Ramazanit, pavarësisht kësaj gjendje emocionale që na shkaktojnë, janë ditë vendimtare. Para Ramazanit, jemi lutur që Allahu t’na e mundësojë agjërimin e këtij muaji, tani lutemi të na e pranojë. Është në karakterin e besimtarit që përmbylljen e veprave ta bëjë në gjendje modestie, përulje e përgjërimi. Ja si i përshkruan Kur’ani besimtarët kur ofrojnë ndonjë vepër për Zotin:
﴿ وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَىٰ رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ ﴿٦٠﴾
“Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” [Mu’minunë: 60]
Pra, janë me frikë, jo frikë çorientuese apo frikë që të bën të mendosh keq për Zotin, por frikë e përzier me mendimin e mirë për Zotin. O Allah, Ti meriton më shumë se që ne kemi bërë për Ty, më mirë se kjo që po e ofrojmë. Ajo që neve na brengosë tani ka të bëjë me pranimin e veprës sonë. Aliu r.a., na ka porositur: “Kujdesuni më shumë për pranimin e veprës se për vet veprën!” Tani duhet të na vijnë ndërmend lëshimet që i kemi bërë dhe të nxitojmë e t’i përmirësojmë. Aliu r.a., në natën e fundit të Ramazanit thirrtë me zë: “Sa shumë do të doja ta di se kujt i janë pranuar veprat e t’i marr myzhde dhe kujt i janë refuzuar e ta ngushëlloj! Ty që të janë pranuar veprat, urime të qoftë, e ty që të janë refuzuar, Allahu ta lehtësoftë këtë fatkeqësi!”
Prandaj, këto ditë për ne besimtarët janë ditë të lutjes për pranimin e veprave!
Dhe jo vetëm. Këto ditë janë ditë të dhënies së sadakasë së fitrit, këtij adhurimi e detyrimi njëherësh që, figurativisht ka rolin e pastruesit dhe arnuesit të agjërimit. Lëshimet dhe gabimet tona eventuale gjatë agjërimit ndreqen dhe rregullohen me përmbushjen e këtij detyrimi. Abdullah bin Abbasi r.a., përcjell se “Pejgamberi a.s., e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin (nga gabimet eventuale në agjërim) dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e rëndomtë.”
Pra, sot dhe nesër kemi kohë ta japim këtë lëmoshë andaj duhet të nxitojmë që të mos kalojë koha e pastaj të mos na pranohet. Ndërsa e japim këtë lëmoshë, duhet të sjellim ndërmend një fakt me rëndësi. Pejgamberi a.s., e ka ngritur aq lart lëmoshën aq sa e ka përshkruar si argument dhe provë: “…dhe lëmosha është argument – dëshmi…”
Është argument i besimit, argument i gatishmërisë për ta dhënë për Zotin atë që është e dashur për shpirtin dhe e dhimbshme. E këtu mbase qëndron edhe arsyeja pse Allahu i madhëruar e ka vlerësuar lart sadakanë duke e shpërblyer dhënësin shumëfish:
﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ﴿٢٤٥﴾
“Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?…” [Bekare: 245]
Kjo lëmoshë që japim na deponohet në botën tjetër prandaj Pejgamberi a.s., është betuar se pasuria nuk pakësohet duke dhënë sadaka.
Ne, shfrytëzojmë rastin dhe ua kujtojmë sërish që këtë detyrim, bashkë me zekatin, t’i përmbushni pranë Bashkësisë Islame, respektivisht zyrave të Këshillave dhe nëpunësve të autorizuar për këtë gjë. Kjo do të na mundësojë që, bashkërisht, të përcjellim mesazhin fetar dhe human, siç jemi duke bërë tash e shumë dekada.
Xhematlinj të nderuar!
Në fund, me duar të ngritura drejt Zotit dhe me zemra që kërkojnë kënaqësinë e Tij, e lusim që të na pranojë agjërimin dhe çdo vepër tjetër me të cilën jemi afruar tek Ai në këtë muaj! Zoti ynë, na shpërble për agjërimin ashtu siç na ke premtuar, bëje atë ndërmjetësues për ne dhe, të lutemi, të na mundësosh hyrjen në xhenet nëpërmjet derës së tij, derës Rejan! Amin!