Kurban Bajrami – Festa e sakrificës, mëshirës dhe solidaritetit – thirrje për unitet dhe përgjegjësi

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Kurban Bajramit

Të nderuar besimtarë,
vëllezër dhe motra,

Sot jemi mbledhur në këtë vend të bekuar, në një nga ditët më madhështore dhe më të bekuara të kalendarit islam – në ditën e Kurban Bajramit, festës së sakrificës, devotshmërisë, mëshirës dhe solidaritetit njerëzor. Kjo festë e madhe nuk përfaqëson vetëm një manifestim ritual të besimit, por është një shkollë e lartë shpirtërore dhe morale, e cila e edukon besimtarin me bindje ndaj Zotit, përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe dashuri ndaj njeriut.

Ibrahimi a.s., mbetet simboli më i lartë i besimit të palëkundur, i sakrificës dhe i nënshtrimit të sinqertë ndaj vullnetit Hyjnor, si në thirrjen për vizitë Qabesë, ashtu edhe në prerjen e Kurbanit. Pikërisht mbi këtë frymë është ngritur edhe mesazhi i kësaj feste të madhe, e cila na kujton se pa sakrificë nuk ka ngritje shpirtërore, pa përkushtim nuk ka afërsi me Zotin xh.sh., dhe pa solidaritet, nuk mund të ketë shoqëri të shëndoshë.

Zoti i Madhëruar thotë:

 “Dhe për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë (Qabesë) është obligim për ata që kanë mundësi ta përballojnë rrugën.” (Ali Imran, 97).

Dhe ajeti tjetër lidhje me kurbanin:

“Me të vërtetë, Ne të kemi dhënë ty begati të shumta. Andaj, falu vetëm për Zotin tënd dhe prej kurban!” (El Kevther, 1-2).

Sot, në këtë mëngjes të bukur të kësaj dite madhështore, miliona besimtarë nga të gjitha anët e botës janë mbledhur në tokën e bekuar të Mekës, duke iu përgjigjur thirrjes së përjetshme të Ibrahimit a.s., për të dëshmuar unitetin, barazinë dhe devotshmërinë e shoqërisë Islame.

Në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët tanë nga Kosova, të cilët edhe sot pranë Qabesë luten për paqe, falje, mëshirë dhe mirëqenie për popullin tonë dhe për mbarë njerëzimin.

 Prandaj, në këtë ditë të madhe, le t’i pastrojmë zemrat tona nga urrejtja, përçarja dhe egoizmi, le t’i forcojmë lidhjet familjare e shoqërore, le t’i ndihmojmë nevojtarët dhe le të bëhemi njerëz të paqes, të dijes dhe të përgjegjësisë.  

Pikërisht për këtë arsye, Islami e lidhi këtë festë madhështore me solidaritetin social dhe me kujdesin për tjetrin, që asnjë familje të mos mbetet pa gëzim, pa ushqim dhe pa ndjenjën e përkatësisë njerëzore. Në këto ditë të bekuara feste, ne duhet t’i forcojmë lidhjet farefisnore, ta vizitojmë njëri-tjetrin, t’i pajtojmë zemrat e mërzitura, t’i ndihmojmë të varfrit, jetimët dhe nevojtarët, sepse madhështia e besimit shfaqet më së shumti në madhështinë e humanizmit.

 Prandaj, le të jetë kjo festë një moment reflektimi, pastrimi shpirtëror dhe ringritje morale për të gjithë ne. Le të sakrifikojmë urrejtjen për dashurinë, përçarjen për unitetin, egoizmin për solidaritetin dhe indiferencën për përgjegjësinë njerëzore. Vetëm atëherë do ta kuptojmë thelbin e vërtetë të Kurban Bajramit dhe do ta jetojmë mesazhin e tij në mënyrën më të denjë.

Të nderuar besimtarë,
vëllezër dhe motra,

Është obligim moral, kombëtar dhe institucional që të krijohen kushte për jetë dinjitoze, arsim cilësor, punësim të ndershëm dhe perspektivë të sigurt për të rinjtë tanë, sepse rinia është pasuria më e madhe e një kombi. Një popull që humb rininë e tij, humb energjinë krijuese, zhvillimin, vitalitetin dhe shpresën për të ardhmen. Prandaj, ruajtja e rinisë sonë, fuqizimi i saj dhe kthimi i besimit tek e ardhmja duhet të jenë mision i përbashkët i çdo institucioni dhe i çdo qytetari të përgjegjshëm.

Po aq e rëndësishme është edhe ruajtja e identitetit tonë kombëtar dhe fetar, ruajtja e gjuhës shqipe, e traditave dhe kulturës sonë të lashtë. Sepse ato përfaqësojnë amanetin historik dhe shpirtëror që na është lënë nga brezat që sakrifikuan për liri, dinjitet dhe shtet. Një komb që harron rrënjët e veta, rrezikon të humbë orientimin e tij në histori. Ndërsa një komb që e ruan kujtesën, kulturën dhe vlerat e tij, mbetet i fortë edhe përballë sfidave më të mëdha.

Për t’i ndërtuar këto ideale të larta, vendi ynë ka nevojë përveç stabilitetit ekonomik dhe politik, edhe për institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore dhe përplasjet e pafundme politike të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional dhe polarizimi politik nuk i shërbejnë Kosovës, por e dobësojnë besimin qytetar dhe e zbehin shpresën e brezit të ri.

Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë ambicie personale apo partiake mbi fatin e Kosovës. Prandaj, faktori politik duhet të vetëdijesohet se stabiliteti i shtetit, mirëqenia e qytetarëve dhe e ardhmja e rinisë, janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar.

Po ashtu, duhet të jemi të vetëdijshëm se jostabiliteti politik ka lodhur popullin tonë dhe ka shqetësuar edhe aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë qëndruar pranë nesh në momentet më të vështira të historisë sonë. Përgjegjësia jonë ndaj tyre nuk është vetëm mirënjohja, por edhe ndërtimi i një shteti serioz, demokratik dhe funksional, që ecën përpara me mençuri dhe unitet.

Të nderuar besimtarë,

Ka rastisur që pikërisht në këtë ditë të madhe të Kurban Bajramit të fillojë edhe fushata politike për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7  qershor 2026. Kjo na obligon edhe më shumë që, në frymën e kësaj feste të paqes, sakrificës dhe mirëkuptimit, të tregojmë pjekuri qytetare, kulturë demokratike dhe përgjegjësi kombëtare.

Ne, si qytetarë të këtij vendi dhe si popull me traditë të lashtë të urtësisë, mikpritjes dhe respektit, duhet të dëshmojmë edhe kësaj radhe edukatë, qytetërim dhe kulturë të lartë politike, në mënyrë që kjo periudhë zgjedhore të kalojë në qetësi, dinjitet dhe respekt të ndërsjellë. Fushatat kalojnë, zgjedhjet përfundojnë, por shteti, populli dhe interesat kombëtare mbeten mbi çdo dallim politik apo partiak.

Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të merrni pjesë në zgjedhje me vetëdije të plotë qytetare, të votoni lirshëm, me përgjegjësi dhe sipas bindjes suaj, për ata që mendoni se e meritojnë besimin dhe që kanë vizion, urtësi dhe kapacitet për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme të Kosovës.

Në këtë fushatë parazgjedhore, le të mos ketë vend për gjuhën e urrejtjes, fyerjet, linçimet, akuzat e pabazuara dhe njollosjen e njëri-tjetrit me të pavërteta vetëm për hir të një vote. Një fushatë e ndërtuar mbi përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj.

Le të mbizotërojë urtësia, dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut. Të kemi respekt për mendimet ndryshe, sepse pikërisht përmes kundër mendimeve të shprehura me qytetari ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më e pjekur dhe më e mirë për të gjithë.

Kosova ka nevojë për debat të bazuar në ide dhe argumente, jo në urrejtje e përçarje; për vizion dhe përgjegjësi, jo për baltosje e sulme personale, për afrim dhe mirëkuptim mes njerëzve, jo për ndarje që dëmtojnë shoqërinë tonë.

Mbesim me shpresë që pas këtyre zgjedhjeve faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, që institucionet e vendit të formohen sa më shpejt dhe të krijohet stabiliteti i nevojshëm politik e institucional, për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës, për mirëqenien e qytetarëve dhe për perspektivën e brezave të rinj.

Kosova ka nevojë për unitet në çështjet madhore, për institucione funksionale dhe për një frymë bashkëpunimi që e vendos interesin e atdheut mbi çdo interes tjetër. Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më dinjitoze për të gjithë qytetarët tanë.

Zoti i ruajt familjet tona, fëmijët tanë dhe shoqërinë tonë nga çdo e keqe, devijim dhe përçarje.
Zoti e ruajt popullin tonë, Kosovën tonë, dhe na udhëzoftë drejt paqes, urtësisë dhe bashkimit.

Myftiu i Kosovës, 

Naim ef. Tërnava

Prishtinë, më 27.05. 2026